Aktuale

Vitia mban takimin për siguri në bashkësi

Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësinë bashkëpunim me Divizionin për Siguri në Bashkësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur takimin e Këshillit Ekzekutiv të EVSB-së në nivelin kombëtar.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, tha se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme i japin rëndësi të veçantë Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi, për shkak se ka ndikim të drejtpërdrejtë në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

“Jemi të kënaqur me rezultatet e punës tuaj dhe do të keni përkrahjen e MPB-së edhe më tej. Prandaj, ju ftoj të bashkëpunojmë dhe gjithashtu të ftojmë qytetarët të jenë partnerë në ndërtimin e politikave të sigurisë”, tha zëvendësministri Hoxha.Ndërsa, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se takimet të tilla janë efikase dhe të nevojshme për rritjen e sigurisë nëpër komuna.

Këshilli Ekzekutiv i Ekipeve Vepruese për Siguri në Bashkësi mblidhet dy herë në vit dhe përbëhet nga një ose dy përfaqësues të përzgjedhur nga secila EVSB në nivel të Kosovës.

Këshilli Ekzekutiv i EVSB-së paraqet një forum të rëndësishëm kombëtar ndër-komunal për komunikim, bashkëpunim dhe koordinim.

Pjesëmarrësit mund të identifikojnë dhe shfrytëzojnë burimet në dispozicion përbrenda Këshillit dhe bashkësive përkatëse, duke u siguruar që burimet e vlefshme dhe përpjekjet nuk dyfishohen dhe e njëjta të vlejë për projektet e sigurisë në bashkësi.