Aktuale

“Vitin tjetër merr fund makthi i shqiptarëve në doganat me Kosovën dhe Greqinë”

Nga gjiri i Lalzit, aty ku u mbajt një aktivitet për turizmin kryeministri Edi Rama tha se për të shmangur radhët në dogana objektiv është vendosja e pikave të përbashkëta në dogana me Greqinë dhe Kosovën.

“Numri i shqiptarëve që kanë zgjedhur të pushojnë jashtë është rritur, kjo tregon rritje të fuqisë së konsumit, që të shkojnë diku tjetër jo se është më lirë, të paktën në Mesdhe.

Duam të vendosim një pikë të përbashkët kontrolli me Greqinë, me Kosovën po ashtu për të lehtësuar hyrjet dhe daljet për të mos pasur dy palë kontrolle. Besoj se do të jenë vlerë e shtuar për sezonin tjetër”, tha Rama.

Rama iu referua ankesave të herë pas hershme që shqiptarët bëjnë për çmimet e shtrenjta në sezon.

Ai tha se Shqipëria është një nga vendet ku pushimet janë ekonomike, sipas tij këtë e vërtetojnë edhe turistët e huaj, të cilët janë të kënaqur me shërbimin dhe çmimet.

Rama: Atyre që thonë që çmimet janë të larta ju them që së pari është interesant, sepse turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë: Shqipëria është shumë e bukur, pushimet janë të lira dhe mikëpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë që shqiptarët që komentojnë thonë: Shqipëria është e shëmtuar, pushimet janë shumë të shtrenjta dhe të gjithë ata që shërbejnë janë për tu vrarë. Tani o turistët e huaj janë nën efektin e drogës që i kemi dhënë ne si qeveri dhe nuk dinë ku kanë ardhur dhe as dinë cfarë flasin, pse pastaj ka një përoblem me këta që komentojnë. Sa i përket çmimeve, çmimet i vendos tregu jo qeveria dhe nuk ka cmime të larta që e lanë restorantin apo hetelin bosh sepse e falimenton. Përderisa ka klientë, konsumatorë atëherë do të thotë që ka një balancë. Nuk diskutohet që pushimet në Shqipëri janë shumë më të lira.