Aktuale

Vjet në Kosovë vdiqën afër 9 mijë veta

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Vdekjeve në Kosovë 2015”. Të dhënat në këtë publikim janë paraqitur sipas bazës së grumbullimit të të dhënave administrative për vitin 2015 nga zyrat e gjendjeve civile, transmeton Koha.net.

Vdekjet e raportuara nga familjarët dhe të regjistruara në regjistrat themeltar të vdekjeve, për vitin 2015 kanë qenë 8958, prej tyre vdekje të ndodhura vetëm në Kosovë 8202, kurse vdekje të cilat kanë ndodhur jashtë Kosovës janë regjistruar gjithsej 756.

Nga gjithsej vdekjet e raportuara, të ndodhura vetëm në Kosovë, 4 638 janë meshkuj ose 56.5% dhe 3 564 janë femra ose 43.5%. Prej tyre, 45.6% e rasteve të vdekjeve kanë ndodhur në institucione shëndetësore, ndërsa 52.9% kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.5% në vend tjetër.

Sipas komunës, ku ka ndodhur rasti i vdekjes, në Prishtinë janë 2 634 raste ose 29.4%, në Prizren janë 922 ose 10.3%, në Gjilan janë 473 ose 5.3% etj.

Kurse, 77.9% e të vdekurve janë të moshës 60 e më shumë vjeç.

Tremujori i parë i vitit merr pjesë me 26.8%, ndërsa vetëm muaji janar ka 9.3%. Kurse, sipas etnicitetit shqiptarët marrin pjesë me 91.9%.

Ndërkaq, vdekje të dhunshme në vitin 2015 u raportuan gjithsej 199 ose 2.4%, nga të cilat në fatkeqësi 142 ose 71.4%, vetëvrasje 36 ose 18.1% dhe vrasje 17 ose 8.5%. Kurse, tek të gjitha vdekjet e dhunshme mosha është 20-49 vjeç, si te meshkujt ashtu edhe te femrat.

Foshnjat e vdekura për vitin 2015 kanë qenë 238 dhe pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur është 2.9%. Meshkuj 127 ose 53.4%, kurse femra 111 ose 46.6%.