Aktuale

Vjosa Osmani flet për koalicionin me VV-në, tregon a është pro bashkëqeverisjes

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për herë të parë pas mbajtjes së zgjedhjeve ku partia e saj doli e dyta, rreth bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen e udhëhequr nga Albin Kurti, që dolën fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ajo teksa ka falënderuar gjithë ata qytetarë që e kanë votuar atë dhe LDK-në, ka thënë për një kohë të shkurtër e kanë ngritur partinë në nivelin që nuk ishte që prej vitit 2004 kur LDK udhëhiqej nga ish presidenti Ibrahim Rugova.

Por, tani nga vendi i dytë në zgjedhje, Osmani ka thënë se qytetarët kanë vendosur për qeverinë e ardhshme, e që është opozita e deridjeshme. Madje, sipas saj, nuk ka alternativë tjetër pos koalicionit LDK-VV.

Më poshtë statusi i plotë i Osmanit:

Të dashur qytetarë të vendit tim,

Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen. I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.

Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!

E juaja,

Vjosa /FaktePlus