Aktuale

Vlahutin: Shqiptarë! Detyrojini politikanët të miratojnë reformën në drejtësi

Bashkimi Europian u kërkon qytetarëve që të mos qëndrojnë të tërhequr përballë dyzimeve që po prodhon politika, por të ushtrojnë presion tek përfaqësuesit e tyre për miratimin e reformës në drejtësi.

Ambasadorja, Romana Vlahutin, ka përcjellë thirrjen e kolegut të saj Donald Lu, që apeloi të rinjtë tu kërkojnë të deputetëve miratimin e reformës, duke dërguar apelin e saj tek i gjithë populli shqiptar.

Vlahutin: Jam duke pritur datën 21 korrik por kam një mesazh për qytetarët, ata duhet të sigurohen që zëri i tyre të dëgjohet, por më së shumti të dëgjohet atë ditë për të miratuar këtë reformë mjaft të rëndësishme për vendin.

Në të njëjtën linjë ishte dhe Ambasadorja e Holandës në vendin tonë, Dewi Van De Weerd, e cila u kujtoi deputetëve se kush i ka çuar në sallën e Kuvendit.

Dewi Van De WeerdReforma në drejtësi është prioriteti kryesor për integrimin europian. Qytetarët shqiptarë duhet të detyrojnë parlamentarët që të miratojnë këtë reformë. Më duhet të kujtoj që politikanët janë në dorën e qytetarëve, pasi janë ata të cilët i kanë çuar aty me votë.

Këto deklarata u bënë gjatë një ceremonie me rastin e marrjes së Presidencës së BE nga Sllovakia, shkruan Ora News.

Ambasadori sllovak, Milan Ciganik, shpalosi prioritetet kryesore të Presidencës, ku më e rëndësishmja duhet forcimi ekonomik i Europës dhe pavarësia energjitike.

Milan CiganikPresidenca jonë do të ketë disa prioritete. Fillimisht do të punojmë për të pasur një ekonomi europiane më të fortë. Gjithashtu do të përqëndrohemi dhe tek investimet në energjitikë që Europa të fitojë pavarësi në këtë aspekt.

Në aktivitet u vu theksi dhe tek rëndësia e integrimit të Ballkanit në BE.