Aktuale

Votohet pakoja e ligjeve për transformim të FSK-së

Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka dhënë dritën e gjelbër pakos së ligjeve për transformimin e FSK-së me nëntë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kreu i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, tha se tre projektligjet që i kanë shqyrtuar, nuk kanë edhe ndonjë kosto të shpenzimeve. Ai shtoi se 53 milionë euro janë të përcaktuara që për vitin e ardhshëm t’i ketë kjo forcë, e që sipas tij janë pak.

Po ashtu, sipas Abdixhikut buxheti i FSK-së do të duhej të ishte 100 milionë euro për vitin 2019, ndërkaq, Ali Lajçi nga Vetëvendosja tha se i përkrahë këto ligje por i pengon se si këto projektligje u sollën në këtë komision pa treguar edhe sa do të jetë kostoja financiare që do të duhet t’i ndahet kësaj force.

Nga ana tjetër, Hadërxhonaj, anëtare e këtij komisioni nga radhët e PDK-së, tha se buxheti nuk është problem për këtë forcë. Sipas saj, më problematike është transformimi i kësaj force në ushtri dhe marrja e kompetencave të reja.

Në mbledhjen e këtij komisioni nuk mori pjesë asnjë anëtar prej komuniteteve, as përfaqësuesi i 6+ Fitim Damka dhe as ajo e Listës Serbe, Jelena Bontiq.