Aktuale

Vrasësit e Arbenit dhe Monit as pas një dekade nuk dalin para drejtësisë

Sa herë vjen data 10 e muajit shkurt Arlinda Xheladini bashkë me djalin e vetëm niset drejt varrezave në Dragodan. Me buqetë lulesh Arlinda me të birin përveq varrezave cak e ka edhe sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, aty ku më 10 shkurt të vitit 2007 u vra bashkëshorti i saj Arben Xheladini.

30 vjeçari nga Prishtina është vrarë nga policia rumune e UNMIK-ut ditën kur në Prishtinë po bëhej një demonstratë e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kundërshtim të Pakos së Ahtisarit.

Bashkë me Arbenin u vra edhe i riu nga Podujeva, Mon Balaj si dhe u plagosën rreth 80 persona tjerë.

Askush nuk u dënua për vrasjen e Arbenit dhe Monit ndonëse u vërtetua se plumbat e gomës që përdorën policët rumunë të UNMIK-ut u kishte skaduar afati.

Kontingjenti i policëve rumunë u kthye në atdheun e tyre pa u ndëshkuar pasi në Kosovë gëzonin imunitet.

Arlinda Xheladini tha se për ta zbardhur vrasjen e Arbenit dhe Monit kanë angazhuar  avokatë edhe nga Anglia, por që nuk po arrihet që drejtësia të vihet në vend.

Sipas saj tragjedia e 10 shkurtit e vitit 2007 bashkoi dy familjet që humbën më të dashurit e tyre.

 

“Pas 10 vjetëve kurrgjë nuk është bërë, kurrgjë, ne si familje jemi munduar por si individë nuk mundemi për shkak se ata që e kanë kryer këtë punë, ata veç kanë imunitet kështu që ne s’kemi mundur kurrgjë t’ju bëjmë. Kurrgjë nuk është arritur edhe pse jemi munduar edhe pse kanë ardhur avokat prej Anglisë për të drejtat e njeriut edhe ata janë munduar por nuk kanë arritur se s’ka kurrgjë prej këtij procesi. Qe 10 vjet ne po presim drejtësi por drejtësia nuk është askund. Ky fat na ka bashkuar dy familje që nuk jemi njohur asnjëherë, Arbeni ka qenë neutral, Arbenit nuk i ka pëlqyer si shumicës së shqiptarëve nuk i ka pëlqyer situata që ka qenë para 10 vjetëve edhe për ata ka dal se ka qenë i pakënaqur si shumica e popullit që ka dal atë ditë edhe ai ka qenë i pakënaqur me situatën që ka mbretëruar në Kosovë”, tha Arlinda Xheladini.

Për të nderuar Arbenin dhe Monin përveç familjeve   Xheladini dhe Balaj kanë dalë edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata vendosën lule pranë pllakës përkujtimore që u ngrit për nder të rënies së Arbenit dhe Monit.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se protesta e 10 shkurtit të vitit 2007 u organizua për të kundërshtuar planin e Ahtisarit, plan ky i cili sipas tij do të bënte ndarje etnike dhe pamundësonte shtetësinë e vërtetë të Kosovës.

Ai theksoi se ajo protestë përballi dy palë, palën e njerëzve që dëshironin të kenë një komb dhe liri të plotë dhe palën e makinerisë së pushtetit që shtypi këta njerëz me një dhunë të paparë.

 

“Ishte 10 shkurti i vitit 2007 kur Lëvizja Vetëvendosje thirri një protestë në kundërshtim të planit të Ahtisarit, i cili po i imponohej Kosovës si një zgjidhje politike për statusin e Kosovës. Ne e lexuam me shumë vëmendje në atë kohë planin e Ahtisarit dhe e pamë që faktikisht kjo është një ndarje etnike e Kosovës, ja pamundëson shtetësinë e vërtet, atë për të cilën kemi nevojë të Republikës së Kosovës dhe e pamë të arsyeshme që ta thërrasim një protestë gjithëpopullore në kundërshtim të këtij plani. Qytetarët dolën në protestë pikërisht në këtë shesh, këtu 10 vite më parë dhe në këtë shesh u përballën dy palë, njëra palë mendoj që e ka mishëruar idealin e kamotshëm të këtij kombi, për liri të plotë kurse pala tjetër ishte makineria e pushtetit që na kishte dalë përballë për me e shtyp këtë protestë, por me shtyp me gjak, me dhunë të madhe më një brutalitet të paparë”, tha Konjufca.

Ndër tjerash, Konjufca kujtoi çastet që shënuan edhe vdekjen e këtyre dy njerëzve, Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, si pasojë e policëve të armatosur të UNMIK-ut. Ai cilësoi sjelljen e politikanëve të asaj kohe si të pandershme sepse sipas tij, në vend që të mbronte popullin e vet, ata dolën në mbrojtje të dhunës së egër të policisë së UNMIK-ut.

 

“Policët e armatosur deri në dhëmbë të UNMIK-ut nga Ukraina, Polonia dhe Rumania, njësitet e të cilëve jo vetëm që bartnin armatim por edhe kishin lënë në tokë shumë prej armatimit të tyre dhe në momentin që ne nuk është se donim tjetër gjë përveç se të vazhdonim protestën sepse ishim bllokuar pikërisht nja 40 metra prej ku po flasim këtu, në momentin që kemi bërë përpara ata nuk kanë kursyer të gjithë armatimin e tyre dhe me armë të zjarrit të drejtuara drejt trupave të qytetarëve dhe aktivistëve të paarmatosur filluan të qëllojnë me breshëri dhe në të gjitha anët, pak momente pas fillimit të kësaj dhune dhe brutaliteti të paparë, humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj, për të cilët jemi mbledhur këtu për t’i nderuar dhe për t’i kujtuar. Pushteti politik në Kosovë atëherë në vend se të pozicionohej në krah të popullit të vet që kërkonte atë që është e nevojshme për kombin tonë , ata atë ditë u fshehën gjysma, kurse gjysma tjetër dolën në mbrojtje të kësaj dhune të egër të policisë së UNMIK-ut, ne nuk e harrojmë sjelljen e pandershme të këtyre politikanëve”, tha Konjufca.

Në 10 vjetorin e rënies  janë bërë homazhe edhe tek varrezat e Arbenit dhe Monit, në Prishtinë përkatësisht në Podujevë, ndërsa për nder të 10 vjetorit të demonstratës së shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një ekspozitë me fotografi nga dita e demonstratës si dhe do të mbajë një tribunë ku do të mbajnë fjalime Albin Kurti dhe Visar Ymeri./KP