Aktuale

Vucic falenderon Burundin për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Presidenti serb e ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Burundit për “tërheqjen e njohjes së Kosovës”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Burundit, Alen Eme Njamitve, të cilit i ka shprehur – siç thuhet në komunikatën pas takimit – “falënderim të thellë për vendimin e atij vendi që ta tërheqë pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës”, raporton T7.

Vuçiq me këtë rast, falënderimin e tij e ka shprehur edhe në letrën drejtuar presidentit të Burundit Pjer Kurunziz, të cilën ia ka dorëzuar ministrit Njamitve, thuhet në komunikatën e presidentit serb.

Një lajm të këtillë, për tërheqjen e njohjes nga Burundi, zyrtarët dhe mediat serbe publikuan edhe në shkurt të këtij viti, por më vonë doli se kjo s’kishte qenë fare e vërtetë.

Edhe shefi i diplomacisë kosovare, zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli, sot përsëriti se nuk ka kurrfarë njoftimi se Burundi e ka tërhequr vendimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, shteti serb vazhdon me aktivitetet agresive për të bindur shtetet, zakonisht do të vogla të tilla, që ta tërheqin njohjen e Kosovës. Flitet edhe për shpenzim të milionave për të bindur faktorët në këto shtete për ta bërë një gjë të tillë.