Aktuale

Vuçiq me tone kërcënuese: Nuk e lejojmë Prishtinën ta sulmojë popullin tonë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë sot se askush nuk guxon t’i sulmojë qytetarët serbë.

Këto deklarime ai i ka bërë gjatë një vizite në Vrnjacka Banja, ku ka folur për kërcënimet që shqiptarët po i dërgojnë çdo ditë në drejtim të serbëve.

“Çdo ditë Kosova po sulmon qytetarët serbë, ndërsa mesazhi i Serbisë është që të ruhet paqja dhe stabiliteti, por këtë askush nuk duhet ta marrë si shenjë të dobësisë tonë”, ka thënë kreu i shtetit serb, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq ka thënë se Beogradi nuk do të lejojë askënd, as Prishtinën që të sulmojë qytetarët serbë.

“Nuk do të lejojmë askënd të sulmojë popullin tonë”, ka shtuar ai, teksa i ka parë si kërcënime nismat për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

“Çdo ditë po na kërcënojnë me bashkimin e Mitrovicës, porosia jonë është e qartë- do ta ruajmë paqen, por mos mendoni që kjo është shenjë e dobësisë, nuk do t’iu lejojmë as juve dhe as askujt ta sulmoni popullin tonë” .

Ai ndër të tjera ka thënë se nuk shqetësohet fare për ekonominë e Serbisë, por vetëm për situatën politike e cila po mbretëron në rajonin e Ballkanit Perëndimor. /GazetaExpress/

the authorBurbuqe Metolli