Aktuale

Vuçiq: T’i japim fund konfliktit të ngrirë me shqiptarët

Pengesa më e madhe në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian është “gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën”. Në një intervistë për Associated Press, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e pranoi se zgjidhja e konfliktit është në interes të Beogradit, e se për këtë arsye kishte nisur bisedimet e brendshme.

“Kemi konflikt të ngrirë prej shumë vitesh. A është mirë ta kemi këtë konflikt të ngrirë edhe për 50 apo 100 vitet e ardhshme? Nuk mendoj se është kështu. Kjo është arsyeja përse kam nisur diskutimet e brendshme”, deklaron ai.

BE-ja po ndërmjetëson bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dhe shumë në Evropë besojnë se Serbia do të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës përpara se t’i bashkohet bllokut.

“Me shqiptarët mendoj se na duhet marrëveshje afatgjate e paqes për 200 vitet e ardhshme”, vijoi me tej Vuçiq, duke shtuar se të gjitha palët “do të duhet të bëjnë disa lëshime”.

Vuçiq po ashtu premtoi se do ta çojë Serbinë në BE dhe tha se fakti që Rusia po armatos ushtrinë serbe nuk e kërcënon këtë synim.