Aktuale

Vuçiqi në SHBA ankohet për serbët e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i tha TV Pink (të Serbisë) se nuk ishte në SHBA për t’iu kundërvënë asaj dhe se është i kënaqur me përmbajtjen, tonin dhe me mënyrën e komunikimit me zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence.Për shumicën e çështjeve, tha Vuçiq, kemi pasur përputhje pikëpamjesh me zëvendëspresidentin amerikan.

“Ai më kuptoi mirë se për çfarë flisja. Natyrisht se temë bisede ishte edhe Kosova”, i tha TV Pinkut Vuçiq.

“Fola se nga viti 1999 deri më 2008, deri te njohja e pavarësisë së Kosovës dhe se si ndihen serbët, se ndihen të harruar e të lënë padore, ndonjëherë edhe të poshtëruar”, thotë Vuçiq.

Mediet e Beogradit citojnë Vuçiqin të ketë thënë se kishte biseduar se si “kjo situatë të balancohet, që të gjithë të jenë të pakënaqur ose ngapak të kënaqur. Se kështu për rajonin do të ishte më mirë sesa të gjithë të jenë të kënaqur, ndërsa vetëm serbët të ndihen të poshtëruar”, citohet Vuçiq, transmeton Koha.net.

I pyetur nëse në takim është bërë fjalë për rastin e vrasjes së vallezërve Bytyçi ose djegien e ambasadës së SHBA në Beograd, Vuçiq është përgjigjur se Pence ishte korrekt dhe se nuk kishte dashur ta qesë në situatë të pakëndshme.

“Ne e dimë cilat janë detyrimet tona dhe në asnjë moment nuk ikur nga detyrimet e Serbisë në rastin Bytyçi”, është shprehur Vuçiq, por dëshiroj ta mbrojë dhe ta ruaj nga fyerjet e disa avokatëve.“Njerëzit e ndiejnë se SHBA nuk janë armiq të Serbisë dhe se duhet të kemi qëndrim të pozitiv ndaj Shteteve të Bashkuara”, ka thënë ndër të tjera presidenti serb, raportojnë mediet e Beogradit.