Walker në AAB: Kosova nuk mund të presë më, duhet ndërruar klasa politike

Në një ceremoni solemne, në AAB Teatrin “Faruk Begolli”, Kolegji AAB e nderoi me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ish- ambasadorin e OSBE-së në Kosovë,  William Walker, me motivacionin për kontributin e jashtëzakonshëm në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtarë për masakrat dhe krimet serbe gjatë luftës në Kosovë.

Prorektori për shkencë dhe hulumtime në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, në fjalën e tij tha se ambasadori Walker është simbol i lirisë së popullit të Kosovës.

“I dashur ambasador Walker, Kolegji AAB është konfirmues dhe lëvrues i vlerave universale. Vlerat si: demokracia, të drejtat e njeriut dhe mundësitë individuale, janë parime bazë mbi të cilat udhëhiqet AAB-ja, investon për to dhe kërkon që të ndikojnë në shoqërinë kosovare për një zbatim sa më të gjerë të këtyre vlerave. Edhe shkëlqesia e juaj i dashur ambasador mbështeti fuqishëm mbi këto parime kur me 15 janar 1999 deklaruat se ‘ky është një krim i madh kundër njerëzimit’, duke i identifikuar qartë kryerësit e masakrës në Reçak. Ju kërkuat atë kohë, urdhërdhënësin e kësaj masakre, ndërkaq, thatë qartë se kryerësit ishin forcat qeveritare serbe. Deklarata e juaj ishte shpëtimi i ynë. Kjo preku ndërgjegjen e botës demokratike. Kalkulimet politike morën fund. Triumfoi humaniteti. Ju i hapët rrugë ndërhyrjes ushtarake humanitare, e cila çoi në rrëzimin e regjimit kriminal që kreu aq shumë masakra jo vetëm në Kosovë. I dashur ambasador, populli i Kosovës ju ka ngritur tashmë në simbol të lirisë. Ju e deshët poashtu këtë liri po aq sa populli i Kosovës, sepse ju e deshët parimin universal të të drejtat e njeriut me çdo çmim. I dashur miku i ynë i madh ambasadori Walker, në emër të studentëve dhe stafit të AAB-së, ju lusim që ta pranoni vlerësimin tonë mirënjohës për kontributin tuaj të madh për të drejtat e njeriut, për të kujtuar edhe jetët e humbura në mbrojtjen e të drejtave universale dhe të humanizmit”, tha prorektori Saliu.

Ai njoftoi ambasadorin Walker si dhe të pranishmit e tjerë në këtë ceremoni për kapacitetet e Kolegjit AAB, duke thënë se ky institucion është investimi më i madh i arsimit të lartë nga sektori jo publik, i cili e zhvillon aktivitetin arsimor dhe shkencor që nga viti 2002.

“I pajisur me ambiente moderne për mësim nxënie kreative dhe me teknologji bashkëkohore. AAB katër herë radhazi me sukses ka kaluar procesin e vlerësimit dhe akreditimit nga ekspertë ndërkombëtarë, duke ofruar programe studimi në bachelor dhe master. Nga viti 2010, AB u anëtarësua si anëtare e rregullt në Magna Charta Universitatum, duke siguruar në këtë mënyrë njohjen e vlerave universitare dhe duke zgjeruar mundësitë e ndërtimit të marrëdhënieve të forta të bashkëpunimit me më shumë se 700 universitete anëtare të këtij organizmi”, njoftoi për shkencë dhe hulumtime në Kolegjin AAB, Hasan Saliu.

Në anën tjetër, ish- ambasadorin e OSBE-së në Kosovë,  William Walker, pasi e mori Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, të cilin ia dha prorektori Hasan Saliu, tha se ndihet i impresionuar me ambientet dhe kushtet që ka parë në Kolegjin AAB, ku sipas tij vite më parë kur e kishte vizituar këtë institucion kishte pasur kushte më modeste.

Walker tha se në Kosovë pas 18 viteve ka pasur arritje pozitive, shkollimi universitar dhe para universitar është njëra nga të arriturat e mëdha si dhe përfaqësimi i gruas kosovare në të gjitha institucionet e vendit, por, sipas tij, ka edhe disa ngecje.

“Kosova nuk është duke shkuar në rrugën e duhur. Kam qenë këtu dhe e kam parë kur është shpallur Dita e Pavarësisë, të gjithë janë emocionuar kur është nënshkruar deklarata e pavarësisë. Shumë njerëz më kanë thënë ‘faleminderit zoti ambasador, tani na mbetet neve për ta çuar vendin përpara. Pritjet kanë qenë të mëdha në atë periudhë, mirëpo ende ekziston shpresa për ta çuar shtetin ne vendin e duhur. Çka me inkurajon mua është fusha e arsimit, duke e pare AAB-në, duke e parë rininë, po ashtu edhe AUK-un, them se arsimi universitar dhe para universitar janë në rrugë të mirë. Në fushën e ekonomisë nuk janë bere gjerat si duhet. Do me befasonte nëse një të riut do t’i thuhej që kur ta përfundoni universitetin, ju pret një pune jashtë. Po ashtu, politika nuk është në rrugën e duhur. Njoh shumë persona, shumë politikanë që janë shumë të mirë për ta çuar vendin përpara, por gjithashtu druaj se disa persona të tjerë që janë futur në politikë, nuk janë futur për të bërë politikë, por për gjera të tjera”, tha Walker.

Ai tha se Kosovës i duhen gjenerata të reja në politike dhe se Kosova nuk mund të pres gjatë që kjo të ndodhë.

“Gjithmonë më kanë thënë se këta politikanë duhet qëndruar në politikë edhe për 4 apo 5 vite. Unë mendoj se Kosova nuk mund të pres edhe 4-5 për ta ndryshuar gjendjen politike. Persona te vjetër si unë nuk duan te presin për kohe me afatgjata. Nuk dua të vdes pa thënë se kjo është Kosova që e kanë dëshiruar kosovarët”, u shpreh ish-ambasadori Walker.

Ai këshilloi studentët e Kolegjit AAB që të marrin sa më shumë dije nga ky institucion në mënyrë që ta ndërtojnë një Kosovë me themele të forta të qëndrueshme për vite.

Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut është njëri nga pesë Çmimet Ndërkombëtare që ndan Kolegji AAB për personalitete të shquara, e që janë: Çmimi Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime, Çmimi Ndërkombëtar për të Arriturat Shkencore dhe Artistike, Çmimi Ndërkombëtar për Letërsi, Çmimi Ndërkombëtar për të Arriturat e Larta në Sport si dhe Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Këtë të fundit që e mori ish-ambasadori William Walker, më parë e ka marrë vetëm ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. /GazetaKNN