Sport

Wenger gëzon tifozët e Arsenalit

Wenger ka bërë të ditur se Arsenali do të blejë lojtarë gjatë verës.
Trajneri i Arsenali, Arsene Wenger ka konfirmuar se ekipi i tij do të bëjë maksimumi tre transferime në afatin kalimtar të verës.

Francezi do të jetë nën presion që të luftojë për titull në sezonin e ardhshëm në Premierligë, ndërsa këtë sezon nuk është në Ligën e Kampionëve.

“Topçinjtë” për herë të parë në epokën e Wenger në Angli, kanë mbetur jashtë Championsit dhe do të garojnë në Europa League.

“Maksimumi i lojtarëve do të jetë ndërmjet 2 apo tre lojtarëve. Nuk mund të shpenzojmë aq shumë sa klubet e tjera, pasi ato kanë burime të jashtme që në thelb i lejon të jenë të pakufizuar”, tha Wenger.

“Ne mund të shpenzojmë pasi kemi menaxhuar klubin mirë. Të kujtojmë se sasia e numrave të shpenzuar nuk garanton sukses”, shtoi ai për BeIN Sports.

“Duhet të jemi të qartë se çka nënkuptojmë me transferim të madh. A është Rob Holding transferim i madh apo jo? Kur blini një lojtar për 40 milionë funta, në fillim të gjithë do të kenë gjykim pozitiv. Kur e blini atë për 2 milionë nuk mund të jetë i mirë? Kjo do të thotë se transferimi i madh nuk duhet domosdoshmërisht të lidhet me sasinë e parave të shpenzuara”, theksoi mes tjerash trajneri francez. /Express/