Aktuale

Zbulohet arsyeja pse Rakiq nuk po e hap urën

Të parët e Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri dhe Faruk Mujka, kanë thënë se nuk do të ketë negocim për çështjen e kufirit të Mitrovicës sado që kryetari i Veriut të Mitrovicës Goran Rakiq po e shtyn qëllimisht hapjen e urës vetëm për ta negociuar edhe një herë çështjen e kufijve
Ndonëse kanë përfunduar punët në revitalizimin e urës së Ibrit dhe të zonës së këmbësorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, kryetari i kësaj Komune Goran Rakiq i “ka gjetur” punë shtesë kompanisë ndërtimore.

Autoritetet komunale në veri ditëve të fundit po heqin një pjesë të rrugës së shtruar me gurë katrorë. E gjithë kjo për t’u dukur se punimet nuk kanë përfunduar.

Kjo nuk po u pëlqen as serbëve të veriut të Mitrovicës, të cilët mendojnë se këto punë janë duke u bërë për shpëlarje parash. Ata nuk e kuptojnë as idenë e autoriteteve komunale të veriut për hapjen e rrugës “Knjaz Mihajlo”, në të cilën është duke u punuar, shkruan më tutje “Zëri”.

Në anën tjetër, shqiptarët e jugut edhe më tutje përdorin rrugë alternative për të kaluar në veri të Mitrovicës, ndonëse ura është e gatshme për qarkullim të veturave dhe të automjeteve.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri ka thënë se homologu i tij nga veriu qëllimisht është duke zvarritur hapjen e urës sepse dëshiron sërish të hapë dialog për definimin e kufirit të Mitrovicës.

“Sa u përket kufijve administrativë çdo gjë është e qartë dhe nuk do të ketë dialog rreth kësaj çështjeje. Nuk besoj që ka probleme politike për t’u hapur ura, nuk ka as probleme tjera, ndërsa sa i përket definimit të kufirit të Mitrovicës asnjë centimetër nuk mund ta marrë veriu. Absolut jo, sepse vendimmarrja e lartë në Prishtinë është pajtuar me mendimin tim dhe si e tillë ka përfunduar dialogu në mes të këtyre dy gjërave, urës dhe kufirit administrativ. Nuk dëshiroj as të ketë dialog në mes të këtyre dy çështjeve”, ka thënë Bahtiri.

the authorE B