Aktuale

Zbulohet drogë dhe armë në një pikë karburanti në ​Korçë

Një operacion i policisë i koduar “Itenerari” ka zbuluar lëndë narkotike, granata ofensive luftarake dhe kapsolla detonatore në Korçë.

Gjatë këtij operacioni të zhvilluar gjatë së dielës, është vënë në pranga pronari i një pike karburanti, vëllai i tij, si edhe një punonjësi i këtij biznesi për moskallëzim krimi.Të arrestuarit janë Andrea Kapurani, 35 vjeç, Petro Kapurani, 45 vjeç, dhe Asllan Spahillari, 58 vjeç, të tre banues në Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i fshatit Dishnicë”, në pikën e karburantit në pronësi të Petro Kapuranit, gjatë kontrollit që shërbimet e policisë kanë ushtruar, në një ambient të përshtatur për depozitë uji kanë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjashtë pako me peshë rreth 8.7 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar katër granata luftarake ofensive, si edhe tre kapsolle detonatore.

Aktualisht, po vijon puna për verifikimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të mjeteve të transportit dhe burimeve të tjera të përfitimit të të ardhurave dhe fillimin e procedimit penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.Lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe shitja e armëve dhe municioneve luftarake”, si dhe “Moskallëzim krimi”.