Aktuale

Zbulohet identiteti i të riut shqiptar që u vra mbrëmë në Gostivar

I riu 24-vjeçar, që u vra të hënën në mbrëmje në Gostivar është Avni Abazi nga Gostivari, ndërsa i dyshuar për vrasjen është Nafi Dalipi nga fshati Çajlë, shkruan gazeta KOHA e Maqedonisë.

Ngjarja e rëndë tragjike me epilog një person i vdekur ka tronditur Gostivarin, shkruan “Koha“.

Përfundimit tragjik i ka paraprirë konflikti me një person rreth gjoja një shkeljeje në komunikacion. Sipas dëshmitarëve, ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Sedek Kostovski” në afërsi të ish-mullirit elektrik “Zhito Shar”, rreth orës 21:45. Dyshohet i ndjeri, 24 vjeçari Avni Abazi duke drejtuar automobilin “golf” është ndalur para automjetit të të dyshuarit për vrasjen, Nafi Dalipi nga fshati Çajlë, dhe kanë filluar zënkë verbale mes tyre. Në ato momente, vrasësi i dyshuar e ka qëlluar me revole viktimën në pjesën e poshtme të barkut. Dëshmitarët okular i thanë gazetës KOHA që incidenti ishte shkaktuar si pasojë e mosdhënies së përparësisë në komunikacion. Në ato momente, ka filluar grindja mes tyre dhe që përfundoi me epilog tragjik.

Pas incidentit me përmasa tragjike, personi i plagosur ishte dërguar në Spitalin e Gostivarit, dhe pas ndihmës së shpejtë mjekësore për shkak të seriozitetit të lëndimit ishte dërguar në Spitalin e Shkupit, por edhe atje mjekët nuk ia kanë dalë t’i ndihmojnë, pasi u është nënshtruar plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Pas incidentit, organet e hetuesisë dolën në vendin e ngjarjes dhe deri në orët e vona të natës kryen hetime.

Në vendngjarje u gjetën gëzhoja plumbi dhe një shufër metalike që nuk dihet nëse i ka takuar ndonjërit nga dy personat e përfshirë në incident. Për rastin, më shumë hollësi pritet të dalin organet e hetuesisë brenda ditës së martë, pasi ende vazhdon puna e prokurorit publik rreth rrumbullakimit të aktiviteteve hetuese, të cilat kanë filluar mbrëmë me ekspertizën.

Nga Policia e Gostivarit konfirmuan informacionin se i dyshuari për vrasjen mbrëmë vetë është dorëzuar në stacion policor të Gostivarit, ku dhe është mbajtur. Duhet theksuar që viktima ishte pronar i një Salloni për Larje automjetesh në qytetin e Gostivarit.