Rajon & Botë

Zbulohet një tjetër piramidë

Egjipti fsheh ende nën këmbë pasuri të rralla nga bota e antikitetit dhe këtë e provuan edhe autoritetet në Kajro, që folën për një zbulim të fundit.
Ministria e Antikitetit njoftoi zbulimin e rrënojave të një piramide, që besohet se është ndërtuar 3700 vite më parë. Deri më tani është zbuluar një korridor i brendshëm, ku në anët e tij janë gjetur 10 hieroglife.

Zbulimi është bërë në zonën e njohur Dahshur, në jug të Kajros. Autoritetet egjiptiane thanë se rrënojat janë në gjendje të mirë dhe se po vazhdon puna për të zbuluar më shumë dhe për të përcaktuar përmasat e piramidës. Kjo piramidë besohet se është ndërtuar gjatë dinastisë së 13-të të Faraonëve.

Dahshur është vendodhja ku Faraoni Sneferu i dinastisë së 4-t, ndërtoi piramidën e parë. Bëhet fjalë për atë që njihet si Piramida e Kuqe, 104 metra e lartë dhe rreth 4600-vjeçare. Sneferu u pasua në pushtet nga djali i tij, Khufu, i njohur si ndërtuesi i Piramidës së Madhe të Gizas, që është 138 metra e lartë.