Sport

Zidane komenton shkarkimin e Valverdes nga Barcelona

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka shprehur keqardhje për shkarkimin e Ernesto Valverde nga posti i trajnerit të Barcelonës, duke thënë se ai ishte trajner i mirë dhe se ka respekt të madh për të.

Ish-trajneri i Real Betisit, Quique Setien, u emërua trajner i Barcelonës pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, i cili kishte qenë në presion të madh që nga eliminimi i Barcelonës nga Atletico Madridi në Superkupën e Spanjës, transmeton Gazeta Express.

Ndër kritikat më të mëdha të drejtuara kah Valverde gjatë kësaj kohe kanë pasur të bëjnë me stilin e lojës të Barcelonës. Në tentim për ta ndryshuar këtë, klubi e ka sjellë Setienin në klub, pasi që ai njihet për dashurinë e tij për stilin e lojës që e bëri të njohur Johan Cruyff e Barcelona.

“Nuk do të merrem me këtë. E vetmja gjë që dua ta them është se më vjen keq për të sepse nuk është një situatë e mirë. Ai është një trajner i mirë dhe kam respekt të madh për të. Kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë Zidane.

“As për mua nuk do të jetë më ndryshe nëse humbasim ndeshje. Nëse i humbim dy ndeshjet e radhës, ata do të më kritikojnë sërish, ashtu siç ndodhte para një muaji e gjysmë”.

“E di që është e komplikuar pasi që ne nuk mund të fitojmë gjithmonë, por ne tentojmë ta japim maksimumin nga vetja çdo herë. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë më në futboll”.

Zidane do të tentojë të qëndrojë sa më larg spekulimeve për një shkarkim të mundshëm, duke tentuar ta vazhdojë formën e mirë të Real Madridit edhe në ndeshjen e së shtunës kundër Sevillas./FaktePlus