Aktuale

Zjarri e dogji të tërën, pamje nga banesa që mori flakë mëngjesin e sotëm

Mëngjesin e sotëm zjarri ka përfshirë një banesë afër tregut të gjelbër në lagjen “Ulpiana”, në Prishtinë, me ç’rast përveç dëmeve edhe disa persona janë lënduar e njëri prej tyre më rënd dhe po trajtohet në Emergjencën e QKUK-së.

Nga pamjet që ka siguruar FaktePlus shihet se banesa thuajse është djegur e tëra.

Kurse, Latif Zeka nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) tha se me të marr informatën se është duke u djegur banesa edhe kanë nisur ekipet e zjarrfikësve për të ndaluar zjarrin.

Ndërkaq dëshmitari i kësaj ngjarje, Afrim Gashi tregon se ka qenë jashtë kur e kanë thirr për të ndihmuar në hapjen e derës së banesës që digjej.

“Kam qenë jashtë kur më kanë thirr hajde se u djeg banesa. Me shkelma e kemi hap derën dhe kanë dalë ata që ishin brenda”, ka treguar ai.

E Policia e Kosovës ka njoftuar se gjashtë presona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Deri tani gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, një nga ta është dërguar në QKUK- Prishtinë, për trajtim mjekësor, ndërkohe që 5 te tjerët tretmanin e kanë marrë në vend ngjarje ( probleme me frymëmarrje nga tymi). Zjarri është lokalizuar dhe aktualisht policia në bashkëpunim me zyrtarët relevant nga institucionet përkatëse, po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në shkaktimin e këtij rasti”.