Aktuale

Zyrtari i AAK’së porosi PDK’së: Taksa mbetet, ekzistenca e Kosovës s’është në tavolinë

Zyrtari i AAK’së, Burim Ramadani u ka kujtuar zyrtarëve të PDK’së se edhe pas dorëheqjes së Haradinajt, taksa do të mbetet deri në njohje dhe se ekzistenca e Kosovës nuk është në tavolinë, raporton Express.

Përmes një postimi në Facebook, Ramadani ka thënë se situate poltike në vend nuk është e thjeshtë e as normale. Por, ka thënë se tri gjëra tashmë janë qartësuar.

Ramadani u ka kujtuar zyrtarëve të PDK’së se taksa do të mbetet deri në njohje dhe se ekzistenca e Kosovës nuk është në tavolinë. Ka thënë se për këto çështje nuk mund të lëshohet pe më kurrë.

Ndryshe, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje dje nga pozita e Kryeministrit të Qeverisë. Arsye për këtë ka qenë ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Ëashingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale./Express

the authorBurbuqe Metolli