Fadil Vokrri

Anëtar Nderi i KD-së

Fadil Vokrri – (23.06.1960-09.06.2018) – anëtar nderi

Fadil Vokrri u lind më 23 qershor të vitit 1960 në Podujevë, ndërsa ndërroi jetë më 09 qershor 2018.

Me futboll nisi të merrej si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij “Prishtina”, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës, si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së, detyrë kjo që e ushtroi deri në fund të jetës së tij (09.06.2018).

Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit. Përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhën frënge, turke dhe serbo-kroate.

Me vendim të Kolegjit AAB, Fadil Vokrri do të mbetet anëtar i përhershëm nderi i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB.