Barometri politik 1/2008

Autor
Lulzim Pllana
Viti i botimit
2008

Projekt afagjatë i hulumtimit të opinionit publik rreth gjendjes dhe ngjarjeve aktuale politike në Kosovë

Abstract

Barometri politik është projekti i parë hulumtues me tematikë politike i inicuar nga Universiteti AAB, më saktësisht nga Qendra për Hulumtimin e Opinionit – QHO. Ky hulumtim i parë eksperimental financohet nga Universiteti AAB dhe realizohet në bashkëpunim me Universitetin e Lubjanës, Qendrën për Hulumtimin e Opinionit Publik dhe të Komunikimit Masiv të këtij universiteti.1
Në periudhën kohore prej 4 deri më 6 dhjetor, në bazë të pyetësorit të standardizuar e anonim dhe metodës „Face-to-face“, u zhvillua anketimi në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në zonat e Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe Mitrovicës, duke përfshirë këtu edhe vendbanimet me shumicë të nacionaliteteve të tjera. Shpërndarja e pyetësorve është bërë sipas numrit të vendbanimeve të Entit të Statistikave të Kosovës.2 Nga 880 persona të paraparë, janë anketuar 876 (99%) persona me të drejtë vote, çka e bën projektin të jetë reprezentativ. Anketimi nëpër komunat apo, më saktësisht, pikat anketuese, është kryer nga 30 anketues. Koha e plotësimit të një ankete ka zgjatur nga 5 deri në 10 minuta. Të dhënat janë analizuar me softuerin statistikor SPSS.3
Pyetësori është hartuar nga udhëheqësi i QHO-së në Universitetin AAB, Lulzim Pllana M.A., në bashkëpunim me prof. dr. Niko Tosh, udhëheqës i Qendrës për Hulumtimin e Opinionit dhe të Komunikimit Masiv në Lubjanë, dr. Slavko Kurdija, ligjërues në Universitetin e Lubjanës dhe bashkëpuntor i kësaj të fundit.
Pyetësori përbehet nga pjesa fikse, që nënkupton të njëjtat pyetje në të gjitha fazat e anketimit, dhe pjesa e ndryshueshme, pyetje këto të cilat kanë të bëjnë me situata dhe ngjarje aktuale përgjatë periudhës kohore të anketimit.
Në përgjithësi, pyetësori parasheh përcaktimin dhe orientimin politik të opinionit publik rreth situatës politike, si dhe vlerësimin e saj dhe të ngjarjeve aktuale, sidomos të atyre politike, në Kosovë. Pos vlerësimit të institucioneve vendore, siç janë Qeveria, Kryeministria, Parlamenti, Policia, partitë politike, KLMDNJ, Sindikatat dhe Ombudspersoni, ai ofron mundësinë e vlerësimit të besueshmërisë jo vetëm në institucionet ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, po dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një vlerësim tjetër rreth besueshmërise është edhe ai i medieve, duke e ndarë rëndësinë e vlerësimit të tyre në medie publike dhe private.
Si pyetje më e rëndesishme e pjesës fikse të „Barometrit politik“ është e ashtuquajtura „pyetja e së dielës“ ose „për cilën parti do të votonit“, që mund të trajtohen si thelbi i tij. Me qëllim krahasimi të pozicioneve dhe të përcaktimit të trendeve të partive politike, bëhet edhe pyetja: „për cilën parti keni votuar në zgjedhjet e fundit“. Si rrjedhojë e kësaj nxirret edhe një vlerësim për personalitetet politike, që bëhet nëpërmjet pyetjes së hapur. Kjo metodë e përcaktimit të vlerës bën që vendimet e marra të personaliteteve politike të mund të përcaktohen dhe të vlerësohen në bazë të aktiviteteve të tyre politike për një periudhë të gjatë. Ky vlerësim mund të plotësohet më mirë duke parashtruar pyetjen rreth ndryshimit apo jo të gjendjes në çështjet sociale, ekonomike, arsimore, shëndetësore etj. që nga zgjedhjet e fundit, domethënë të atyre të nëntorit të vitit 2007.
Pjesën e ndryshueshme të barometrit e përbëjnë ato pyetje që, varësisht nga situata aktuale, munden apo nuk munden të përsëriten në pyetësorin e barometrit. Pyetjet si „transformimi i TMK-së4 në FSK5“, „pikat e Ban Ki Moon-it“, „Plani i Ahtisarit“ ose „politika e Barak Obamës lidhur me Kosovën“ janë pyetje tipike të pjesës së ndryshueshme të barometrit.
Pjesa empirike e barometrit ka të bëjë me analizimin e të dhënave, domethënë të rezultateve të hulumtimit.

Barometri politik 1/2008.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO