Gjuha shqipe

Autor
Rrahman Paçarizi

Abstract

Gjuha shqipe është gjuhë indoevropiane, e cila konsiderohet, nga shumica e përfaqësuese të gjuhësisë krahasimtare, pasardhëse e drejtpërdrejtë e ilirishtes së vjetër. Trualli i formimit të gjuhës shqipe besohet të jetë përafërsisht territori në të cilin ajo aktualisht shtrihet, ndoshta me një zhvendosje kah veriu. Nuk ka asnjë dyshim madje që Dardania, apo Kosova e sotme, është vendi ku shqipja apo protoshqipja ka pasur një kontinuitet të pandryshuar deri në ditët e sotme.
Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore – dialektin verior apo gegërishten dhe dialektin jugor apo toskërishten, të cilat ndahen nga një rrip gjuhësor i njohur si të folmet kalimtare. Dallimet ndërmjet dy dialekteve të shqipes janë të natyrës fonetike para së gjithash, por ka edhe disa dallime të vogla dialektore. Gjithsesi këto diete janë të ndërkuptueshme mes vete.
Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe i zbuluar deri më tash është “Formula e Pagëzimit” e shkruar nga Pal Engjëlli më 1462.
Gjuha shqipe ka përjetuar dy standardizime zyrtare. Fillimisht më 1920 në Kongresin Arsimor të Lushnjës ishte vendosur që e folmja e Elbasanit, e folme e gegërishtes veriore, të ishte gjuhë zyrtare shqipe, ndërsa më 1972 u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, me ç’rast në bazën e standardit të shqipes u vu përfundimisht toskërishtja.
Gjuha shqipe sot flitet nga më se 7 milionë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore dhe në pjesët jugore të Malit të Zi. Dialektet arvanite në Greqinë veriore konsiderohen pothuajse gjuhë e vdekur, ndërkohë që variante të shqipes fliten në Italinë Jugore, më saktësisht në Sicili dhe Kalabri, në Zarë të Dalmacisë, Kroaci, në disa fshatra të Ukrainës dhe në Mandricë të Bullgarisë. Koloni prej milionabanorësh, të përbëra nga shqiptarë që ishin shpërngulur atje nga Kosova e Maqedonia pas Luftës së Dytë Botërore, jetojnë sot në Turqi.

Fjalët kyç: arbresh, arbër, arbëresh, arvanite, elbasanishte, Gadishulli Ballkanik, gegë, gegërishte, gjuha standarde, gjuha shqipe, gjuhësi krahasimtare, gjuhë indoevropiane, Komisia Letrare e Shkodrës, Kongresi Arsimor i Lushnjës, Kongresi i Drejtshkrimit, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, protoshqipja, sociolinguistika, Shqipëri, toskë, toskërishte.

Gjuha shqipe.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO