Ornamentika nga kompleksi i kultit të gjarprit të shtëpisë e zbatuar në arkitekturën popullore të Kosovës

Autor
Flamur Doli
Viti i botimit
2009

Abstract

Në këtë studim është shtjelluar ornamentika simbolike nga kompleksi i kultit të gjarprit të shtëpisë, zbatuar në arkitekturën vernakulare (popullore) të Kosovës. Gjithsesi, ndër kultet më të veçanta dhe më të rëndësishme, nga mbijetojat e kompleksit të hyjnive mbrojtëse të shtëpisë, në kontekst të besimeve popullore të shqiptarëve, bën pjesë edhe kulti i gjarprit.

Në kontekst të lëndës së mbarështuar në këtë studim, mirëfilli është konstatuar se, ornamentet nga kulti i gjarprit, për shkak të karakterit dhe simbolikës së tyre, u aplikuan përherë në vendet apo në elementet kompozicionale më të ekspozuara të shtëpisë, meqë përdorimi i tyre kishte funksion magjik, mbrojtës dhe fatsjellës. Për më tepër, aplikimi i këtyre ornamenteve, kryesisht në formë artistike të relievit të ulët, shquhet për një strukturim kompozicional të harmonizuar organikisht me konceptin estetik formësues dhe arkitektonik të ndërtimit popullor, apo elementeve strukturale të tij.

Për të dhënë një pasqyre sa më të plotë dhe prova të shumta në kontekst të aplikimit të ornamenteve nga kulti ktonik i gjarprit me interpretim gjeometrik abstrakt të simbolit të tij, apo me paraqitje artistike reale, është analizuar një numër i konsiderueshëm i objekteve të ndryshme etnografike shqiptare tek të cilat u aplikuan këto ornamente.

Në këtë studim mirëfilli provohet se, kulti i gjarprit është pjesë përbërëse e trashëgimisë komplekse etnokulturore e popullit tonë. Ky kult, në vertikalen diakronike, u zhvillua në një vijimësi të pandërprerë, në harkun kohorë, që nga ilirët deri tek shqiptarët e kohës sonë.

Fjalët kyç: kulti i gjarprit, ornamentika simbolike, hyjnia mbrojtëse e shtëpisë, besimet popullore, mitologjia ilire, paraqitja figurative realiste dhe abstrakte e gjarprit, kulti i diellit.

Ornamentika nga kompleksi i kultit të gjarprit të shtëpisë e zbatuar në arkitekturën popullore të Kosovës.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO