Veçoritë strukturale të ekonomisë së Kosovës

Autor
Fetah Reçica

Abstract

Rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit ka përshtatja e ndryshimeve strukturale, e mundësive dhe e kushteve të zhvillimit të bazuara në kërkesat e tregut për produktet dhe shërbimet e realizuara. Zhvillimi i industrisë dhe resurset natyrore janë të një rëndësie të veçantë në këtë drejtim. Industria i kontribuon më së shumti zhvillimit ekonomik dhe ndarjes së punës. Ajo krijon mundësi për rindërtimin dhe avancimin e degëve të tjera ekonomike si bujqësisë, komunikacionit, tregtisë e të tjera. Ndikimi i industrisë në transformimin e strukturës ekonomike dhe sociale të vendit është i lartë ose i dobët, varësisht nga niveli i zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit. 

Ekonomia e Kosovës pas luftës është ballafaquar me sfida të mëdha, si pasojë e menaxhimit të dobët për një dekadë të tërë dhe e luftës shkatërrimtare. Megjithëkëtë, Kosova me sukses e kaloi fazën e rindërtimit, e cila ishte mjaft e vështirë. Fillimi i privatizimit, zhvillimi dinamik i sektorit privat në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, me theks të veçantë sektori i prodhimit, nismat e para të procesit të integrimit me ekonominë e rajonit përmes nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë, inkuadrimi në Paktin e Stabilitetit si anëtare jo e barabartë, janë vetëm hapat e parë të proceseve të gjata dhe të rënda drejt zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe integrimeve në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare. Në periudhën e pasluftës, ekonomia e Kosovës ishte ekonomi konsumuese dhe nevojat e veta kryesisht i plotësonte nga importi, duke e përdor “keshin” si mjet pagese në mungesë të institucioneve të organizuara financiare. Struktura ekonomike e një vendi, për zhvillimin ekonomik, më tepër se cilido tregues tjetër paraqet kahet dhe realitetin zhvillimor. Pra, ajo trajtohet si gjenerator aktual në çdo kohë dhe në çdo shoqëri bashkëkohore.

Fjalët kyç: Ekonomia e Kosovës, zhvillimi ekonomik, resurset natyrore dhe ato humane, investimet, privatizimi, shënimet statistikore.

 

Veçoritë strukturale të ekonomisë së Kosovës.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO