Editorial

Autor
Prof. dr. Masar Stavileci
Viti i botimit
2012

Revista kërkimore-shkencore “Thesis” e Institucionit Arsimor Universitar AAB, me karakter ndërkombëtar, domethënë me ISSN, e cila, për arsye kryesisht teknike, nuk u botua një kohë relativisht të shkurtër, vazhdon botimin e saj prej këtij numri, qe sot keni në dore. Ajo do të quhet, nga ky numër, shkurtimisht vetëm “Thesis”. Arsyet e shkurtimit të titullit të saj janë plotësisht të natyrës praktike.

Revista “Thesis” do të vazhdojë të botojë, si me parë, tema interesante kërkimore – shkencore te bashkëpunëtorëve qe tregojnë vullnetin e tyre të mirë  për të bashkëpunuar me revistën tonë dhe të tyre.

Në numrin e saj më të ri për vitin 2012  do të mund të gjeni, lexues të nderuar, materiale të ndryshme në gjuhët shqipe dhe angleze, si në numrat e mëparshëm të revistës, nga këto fusha studimore: të drejtësisë, të komunikimit masiv, të letërsisë, të ideografisë dhe të ekonomisë, identiteti shkencor e akademik i të cilëve autorë gjendet në fund  të faqes së parë të punimeve respektive.

Nga fusha e studimeve juridike, në këtë numër botohen katër punime autorësh të ndryshëm. Ne do te mjaftohemi të paraqesim në editorialin tonë vetëm titujt e tyre.

Mirlinda Batalli, me punimin e së cilës hapet ky numër i revistës “Thesis”, shkruan për reformat administrative publike në vendin tonë.

Kolegu i saj, Rexhep Gashi, ndërkaq, shkruan kësaj radhe për pozitën e personave të dënuar në Shqipëri dhe llojet e burgjeve dhe të kampeve të punës atje gjatë diktaturës.

Autori Fatmir Qollakaj merret në punimin e tij me çështjen e krimit të organizuar në rastin e Veriut te Kosovës, si faktor me ndikim në proceset politike.

Autori Florian Dushi shkruan kësaj radhe për tjetërsimin e institucionit të Kuvendit.

Nga fusha e komunikimeve masive, autori Hasan Saliu shkruan për ndikimin dhe rolin që ka ushtruar dhe luajtur propaganda serbe në raportin e Dick Marty-t.

Nga fusha e letërsisë dhe studimeve letrare Olimbi Velaj, një autore nga Shqipëria, merret me baladat e murimit në studimet shqiptare.

Venera Llunji bën, nga fusha e ideografisë, një analize krahasuese, të disa pikëpamjeve dhe pikëtakimeve që përkojnë në dy vepra diskursive të dy autorëve shqiptarë të shkruara e të botuara në dy kohë të ndryshme.

Nga fusha e studime të shkencave ekonomike botohen tre punime:

Vjollca V. Hasani shkruan për çështjen e globalizimit dhe te zhvillimit duke mbajtur parasysh rastin e Kosovës.

Punimi i tretë e i fundit nga kjo fushë është ai i Refik Kryeziut me titull “Sistemi bankar e kreditor dhe ndikimi i tij në zhvillimin ekonomik”.

Si dhe më parë, edhe në këtë numër, në fletët që ndajnë dy gjuhët e punimeve të botuara në revistën tonë, radhiten ca udhëzime  lidhur me teknikën e punës shkencore që u kushtohen autorëve të cilët dëshirojnë të botojnë punimet e tyre me revistën tonë “Thesis”. Atje theksohet, midis tjerash që revista parapëlqen stilin e Universitetit te Çikagos, për arsye praktike leximi në veçanti, të cilit do të duhej t’i përmbahej çdo autor që shkruan për revistën tonë “Thesis”.

Editorial.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO