SHBA dhe Kosova: Nga të Drejtat e Njeriut te Pavarësia

Autor
Dr. Samet Dalipi
Viti i botimit
2013

Abstract

Opinioni intelektual amerikan lidhur me Kosovën është  përcjellë dhe vazhdon të përcillet me vëmendje të theksuar nga qytetarët dhe politikbërësit e Kosovës. Qëndrimet e tyre kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si indikatorë shumë të rëndësishëm të zhvillimeve për të ardhmen e saj. Ky kujdes i opinionit kosovar ndaj reflektimeve amerikane lidhur me Kosovën është rezultat i pragmatizmit amerikan në afirmimin e vlerave liridashëse dhe promovimit të demokracisë në botë nga ky vend.

Shkatërrimi i përgjakshëm i ish Jugosllavisë ishte një shtytje për një kujdes më të shtuar nga bashkësia ndërkombëtare, e sidomos nga SHBA-t, në moslejimin e edhe të një tragjedie njerëzore, e cila do të rëndonte ndërgjegjen e politikbërësve të kohës.

Shqiptarët për dhjetë vite rezistuan paqësisht kundër nacionalizmit ekspansionist serb, por zëri i tyre, përkundër simpative, nuk mjaftoi për të tërhequr kujdesin e duhur ndërkombëtar pa hyrë në ciklin e dhunës ndëretnike.

Dukej se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kishte iluzion vazhdimin e qëndrimit të ish federatës, ashtu siç do të konsideronte edhe mundësinë e gjetjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës brenda një mbetjeje serbo-malazeze, apo më vonë brenda Serbisë.

Pavarësinë e tyre, kombet e ish Federatës Jugosllave, e paguan me humbjen e qindra mijëra jetëve, si pasojë e të udhëhequrit nga mitet e besëtytnitë e trilluara mesjetare, mbi të cilat u formësua ideologjia serbomadhe, pararojë e së cilës do të qëndrojë Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë.

Në këtë punim do të paraqitet opinioni zyrtar politik e akademik i SHBA-ve lidhur me politikat amerikane për Kosovën para, gjatë dhe pas luftës, si dhe nga dokumentacioni i publikuar do të vërehet një evoluim substancial i qëndrimit karshi zgjidhjes së çështjes së Kosovës.  

 

Fjalët kyç: Ndërtimi i paqes, intervenimi humanitar, multikulturalizmi, ndërhyrja humanitare.

SHBA dhe Kosova: Nga të Drejtat e Njeriut te Pavarësia.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO