Aspekte të multimedialitetit në gazetarinë online të zhvilluar në Shqipëri

Autor
Rrapo Zguri
Viti i botimit
2015

Abstract

Studjuesit e konsiderojnë multimedialitetin si një nga tiparet e qenësishme të mediave të reja.  Duke bërë dallimin mes “multi-media” dhe “multiple media”, shumica e tyre e shohin multimedialitetin e përdorur në mediat online si integrimi i dy ose më shumë mediumeve apo formateve mediatike në procesin e raportimit për gazetarinë në web.

Bazuar në literaturën teorike, referati i propozuar synon të hedhë dritë mbi specifikat dhe tiparet e multimedialitetit të zhvilluar në websajtet kryesore të lajmeve të lokalizuara në Shqipëri. Punimi e studjon multimedialitetin e websajteve të lajmeve në dy plane: Në fillim merren në shqyrtim veç e veç elementët e multimedias që aplikohen në raportimin e lajmeve online. Kështu, duke bërë një lloj dekonstruktimi të konceptit të multi-medias, në punim analizohet përdorimi dhe prania e fotografive, infografikave, animacioneve, videos dhe audios si elementë më vete.  Më pas, në një plan tjetër elementët e multimedias shqyrtohen si pjesë e paketës së “multimedia storytelling” (raportimit multimedial) në web. Praktika e raportimit multimedial përmes paketave multimediale të integruara përfaqëson në fakt nivelin më të lartë të multimedialitetit të një websajti dhe reflekton një përdorim maksimal të kapaciteteve të webit në këtë drejtim.

Punimi i ndërmarrë synon të evidentojë përvojën dhe problematikën e multimedialitetit të aplikuar  në websajtet kryesore të lajmeve në Shqipëri, duke i ballafaquar ato me modelet, arritjet dhe përvojën më të mirë globale në këtë fushë. Nën këtë optikë shpresohet që kjo sprovë studimore të jetë e dobishme edhe për agjensitë mediatike që operojnë në fushën e mediave të reja dhe të gazetarisë online. Analiza dhe përfundimet e këtij studimi mbështeten nga një kërkim i gjerë empirik i zhvilluar në një periudhë disa-vjeçare nga autori i këtyre radhëve. Nga studimi mund të nxirren edhe rekomandime të rëndësishme dhe të dobishme për aktivitetin e mediave online në të ardhmen.

 

Fjalëkyçe: multimedia, multiple media, multimedialiteti, raportimi multimedial, paketa multimediale

Aspekte të multimedialitetit në gazetarinë online të zhvilluar në Shqipëri.pdf
Shkarko
INSTITUTI AAB
APLIKO