Dekanati

Email
[email protected]
Tel
+383 38 600 005

Bujar Gjikolli

Ekspert i Radiologjisë

Mr. Sc. Dr. Bujar Gjikolli u lind në Pejë më 1968. Karrierën e tij profesionale dhe akademike e ka të zhvilluar në fushën e radiologjisë diagnostike dhe terapeutike por ka qenë dhe është aktiv në implementimin e projekteve vendore e ndërkombëtare. Në vitin 1998 diplomoi si doktor i mjekësisë, e karrierën profesionale e filloi në UNHCR ku shërbeu në ekipin koordinues mjekësor në kampe të refugjatëve kosovarë në Maqedoni – gjatë luftës në Kosovë. Prej gushtit të vitit 1999 deri në dhjetor të vitit 2001 punoi në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) si zyrtar kombëtar mjekësor ku inicioi, implementoi dhe menaxhoi projekte të shumta. Prej vitit 2001-2006 kreu specializimin e radiologjisë në QKU në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë ku edhe punoi si radiolog në diagnostikën e neuroradiologjisë prej korrikut të vitit 2006 deri në korrik të vitit 2007.

Më 2007 u punësua si radiolog në QKUK ku sot shërben si shef i radiologjisë intervente. Poshtu punon si radiolog në Spitalin Amerikan në Prishtinë ku e ka formuar dhe zhvilluar shërbimin e radiologjisë.
Dr. Gjikolli ka kryer aftësimet profesionale mjekësore në Suedi, Çeki, Hungari, Slloveni, Kroaci, SHBA, Turqi, Bullgari, Ganë, Austri, Francë, Angli, Shqipëri, Maqedoni dhe Gjermani.

Ka inicuar dhe udhëhequr projekte të shumta mjekësore në Kosovë dhe jashtë saj. Është udhëheqës i Kosova Open Medical Club me të cilën ka mundësuar aftësimin profesional të më shumë se 450 mjekëve kosovarë në Austri dhe ka organizuar tre simpoziume satelitore me ekspertë ndërkombëtar, në bashkëpunim me Fondacionin Amerikano Austriak në Vjenë/Salzburg të Austrisë.

Është organizator i KOMC shkollës së ultratingullit me seli në Prishtinë të akredituar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë Universiteti i Prishtinës ,,Hasan Prishtina”.
Në vitin 2004 ka bërë stentimin e parë në Kosovë të arteries së gjymtërëve të poshtme dhe së fundi për herë të parë ka bërë TK venografinë. Në vitin 2010 ka magjistruar në Universitetin e Sarajevës nga fusha e rezonancës magnetike. Aktualisht është në fazën përfundimtare të studimeve të doktoratës (PhD) në Fakultetin e Mjekësisë Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Ka qenë dhe është anëtar i shumë komisioneve dhe grupeve punuese në nivel ekspertësh për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK. Ka publikuar punime shkencore në revista të ndryshme në e jashtë Kosovës. Ka prezentuar punime në simpoziume e kongrese të ndryshme në vend dhe jashtë Kosovës. Ka shkruar kaptinën e radiologjisë në tekstin mësimor “Ndihma e parë”.

Flet rrjedhshëm gjuhën angleze, gjuhën boshnjako-serbo-kroate.

INSTITUTI AAB
APLIKO