Aktuale

​ Tahiri: Nesër fillojmë fushatën, do ta kemi një fitore të fuqishme

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila së bashku me partnerët e saj të koalicionit, nesër do të fillojnë dhe zyrtarisht fushatën parazgjedhore, është e sigurte që e gjithë kjo do të rezultojë me fitore.

Abelard Tahiri, anëtar i Kryesisë së PDK-së, në një intervistë për KosovaPress thotë se që nga nesër do të fillojnë një rrugëtim dhjetëditor dhe Kosovës do t’i japin një fillim të ri.

“Nesër rreth orës 15:00, PDK së bashku me partnerin e saj të koalicionit AAK-në dhe partnerët tjerë të koalicionit, do të bëjnë hapjen e fushatës në Sheshin Skënderbeu në orën 15:00, ku pritet që të marrin pjesë njerëz nga e gjithë Kosova. Këta njerëz, nesër do të fillojnë një rrugëtim 10-ditor, ku Kosovës do t’i japin një fillim të ri. Një fillim të ri për ekonominë e këtij vendi. Një fillim të ri për shëndetësinë. Një fillim të ri për mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.

Tahiri shprehet i bindur që koalicioni PDK-AKR-Nisma, do të dal fitues nga këto zgjedhje.

“Ajo që do të jetë e njëjtë me fushatat e tjera, do të jetë fitorja e saj në këto zgjedhje. E kësaj partie dhe këtij koalicioni. Ky koalicion do të jetë koalicion fitues. Ky koalicion do të sjellë një fitore të fuqishme dhe një fillim të ri”, thotë ai.

Megjithëse takimi i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, me qytetarë ka filluar tashmë, Tahiri thotë se nga kërkesat e qytetarëve me të cilët është takuar, PDK ka përgatitur një platformë, të cilën e quajnë “Fillimi i Ri”.

“Deri tani kryetari Veseli, së bashku me ekipin e tij, ka qenë gjithandej Kosovës, ka zhvilluar një tur të dëgjimit, ku ka takuar qytetar të shtresave të ndryshme, të të gjitha komuniteteve, ku ka dëgjuar hallet dhe brengat e tyre. Dhe nga ato kërkesa të qytetarëve sot ne kemi një platformë, të cilën e quajmë fillim i ri. Dhe në atë platformë përfshihen të gjitha kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Pra një fillim i ri për ekonominë tonë. Një fillim i ri në shëndetësinë, një fillim i ri për jetën në përgjithësi në vend”, tha ai.

Tahiri, i cili shprehet i sigurt në fitore, thotë se këtë e bazon në sondazhet e bëra së fundi dhe në mbështetjen e qytetarëve, me të cilët kreu i PDK-së, është takuar së fundi.

“Këtë e bazoj dhe ne sondazhet e fundit që i kemi bërë. E bazoj dhe në takimet e përditshme, që kemi me qytetarët e Kosovës. Pra e them pa hezitim që PDK dhe ky koalicion, ka një mbështetje të fuqishme nga gjithë qytetarët e Kosovës. Kemi një fitore të fuqishme”, tha ai./kp