Aktuale

​AAK: Në rast se demarkacioni kalon, pasojat do të jenë jashtëzakonisht të mëdha

Mbajtja e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franzece të drejtësisë, sipas Këshillit Drejtues të kësaj partie po konsiderohet si kidnapim politik e jo proces gjyqësor. AAK çështjen e demarkacionit me Malin e Zi po e shohin si të gabueshme, ngase, ata thonë, se Kosova me matjet e Komisioneve qeveritare po humb territor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mblodhi këtë të diel Këshillin Drejtues në një takim të jashtëzakonshëm, ku në tavolinë patën dy tema për diskutim; mbajtja e Ramush Haradinjat në Francë dhe Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, pas takimit tha se Këshilli Drejtues i AAK-së shpreh zhgënjimin për stërzgjatje të procesit ndaj kryetarit të tyre. Ai tha se Këshilli tashmë mendon që ky është një kidnapim politik, e jo një proces gjyqësorë.

 

“Këshilli Drejtues i Aleancës e shpreh brengën e vetë dhe zhgënjimin e vetë me stërzgjatje të këtij procesi për më shumë se dy muaj të mbajtjes së kryetarit Haradinja në Francë dhe mendon se tanimë kjo mbajtje më tepër duket si një ndalje ose kidnapim politik klasik sesa si një proces gjyqësor. Nuk është proces gjyqësor për ne për shkak se kryetari Haradinaj dy herë ka kaluar nëpër një proces shumë të gjatë, shumë të vështirë dhe të shtjerrshëm në Tribunalin e Hagës dhe dy herë është shpallur i pafajshëm. Mbajtja e vazhdueshme në Francë e kryetarit Haradinaj me urdhër arrest të Serbisë nuk mundet me qenë proces i drejtësisë ose proces gjyqësorë, do të thotë është një ndalje një kidnapim politik me insistim të Serbisë dhe të armiqve të Kosovës”, tha ai.

Gjini tha se përmes Këshillit Drejtues u kërkohet organeve të drejtësisë franceze që ta kuptojnë drejtë Kosovën, ta kuptojnë drejtë luftën e Kosovës, ta kuptojnë drejtë edhe procesin gjyqësorë ndërkombëtarë i cili është mbajtë kundër kryetarit Haradinaj.

Po ashtu, ai tha se Këshilli Drejtues i AAK-së i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen maksimalisht për këtë çështje, pasi që sipas tij ky proces nuk ka të bëjë vetëm me Ramush Haradinaj, por ka të bëjë me Kosovën në përgjithësi.

 

“Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen ashtu siç duhet jo si deri më tani, po në maksimum ashtu siç duhet në këtë fazë në mënyrë që të mundësohet një proces i përshpejtuar për kryetarin Haradinaj. Duhet ta kuptojnë që ky proces nuk ka të bëjë me individin Ramush Haradinaj, por ka të bëjë me Kosovën dhe është proces kundër Kosovës, kundër të tashmes dhe kundër të ardhmes së Kosovës. Dështimi i institucioneve mu marrë me këtë punë mund të lejë hapësirë që qytetarët vetë të merren me këtë çështje”, tha nënkryetari Gjini.

Ndërsa, sa i përket Demarkacionit, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se e rikonfirmojmë që ky demarkim është i gabueshëm dhe se me këto matje të publikuara, i bie që Kosova të humb përfundimisht territor.

Ai tha se Këshilli Drejtues mendon që pasojat e një ratifikimi të tillë do të jenë jashtëzakonisht të mëdha, shumë më të mëdha sesa pasojat e imagjinuara të mos ratifikimit dhe ndërlidhja e këtij ratifikimi me liberalizim të vizave. Sipas tij, kjo ndërlidhje ka ardhur nga Kosova dhe është një kontratë e pandershme për qytetarët e Kosovës.

 

“Sa i përket, demarkacionit me Malin e Zi, ne rikonfirmojmë se demarkimi i cili është sjellë nga Komisioni shtetëror dhe i cili është nënshkruar nga krerët e shtetit është i gabueshëm, Kosova humb territor padrejtësisht. Ne mendojmë se ky version i demarkacionit duhet të rrezohet në Kuvend, nuk duhet t’iu bëhet presion deputetëve, për shkak se pasojat e një ratifikimi të tillë do të jenë jashtëzakonisht të mëdha, shumë më të mëdha sesa pasojat e imagjinuara të mos ratifikimit dhe ndërlidhja e këtij ratifikimi me liberalizim të vizave. Ne mendojmë, Këshilli Drejtues i Aleancës mendon se kjo ndërlidhje ka ardhur prej Kosovës dhe është një kontratë e pandershme dhe e pa drejtë për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

AAK, sipas Gjinit, kërkon që ky version i demarkacionit të rrezohet dhe të kërkohet rinegocim me Malin e Zi. Po ashtu, ai tha se Aleanca është e gatshme që të pranoj si version përfundimtar edhe një vendim të mundshëm nga Gjykata e Arbitrazhit.

 

“Ne kërkojmë që të rrezohet ky version i demarkacionit që të kërkohet rinegocim me Malin e Zi për një demarkim ashtu siç ka qenë dermakimi i vitit 1945 dhe i vetmi derimetim që ka ndodhë ndonjëherë në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Aleanca po ashtu, është e gatshme që ta pranoj si version përfundimtar edhe shkuarjen në gjykatë të Arbitrazhit nëse rinegocimi është i pamundshëm”, tha ai.

Përndryshe, Komisioni Shtetëror për matjen e territorit gjatë javës së kaluar ka dal në përfundim se sipërfaqja e Kosovës është 10.905 kilometër katrorë dhe se Çakorri dhe Bjelluha janë jashtë territorit të Kosovës./KP

the authorSamir Dalipi