Aktuale

​Çeku: Kosova duhet t’i ndalojë kërcënimet e Serbisë

Kosova shumë shpejtë duhet të formojë Ushtrinë e saj, çoftë përmes ndryshimeve kushtetuese, ligjit apo formave të treta të mundshme. Qeveria dhe Kuvendi duhet të aktivizohen më shumë në përmbushjen e kërkesës së qytetarëve dhe nevojave të forcimit të shtetit. Ndërkohë, që nga pavarësimi i vendit, Kosova në vazhdimësi është përballur me përpjekjet e Serbisë për destabilizim të situatës këtu, me çka edhe po e rritë presionin kohëve të fundit. Ne duhet t’u bëjmë ballë kërcënimeve të Serbisë dhe t’i ndalojmë ato. Kështu tha në një intervistë për KosovaPress, Agim Ceku, ish kryeministër i vendit.

Çeku, i cili udhëhoqi për një kohë edhe me Ministrinë e FSK-së, thotë se është momenti i fundit që Kosova ta ketë ushtrinë e saj dhe se kjo tashmë është nevojë imediate.

 

“Kosova është dashur ta ketë ushtrinë deri tash. Por mendoj që tani është krijuar një ‘momentum’, është krijuar një nevojë imediate që të krijohet ushtria, në këtë mënyrë apo në atë mënyrë. Qoftë me ndryshime kushtetuese apo ndryshim ligji, apo qoftë me mënyrë tjetër të tretë. Kështu që, mendoj se është një presion edhe i kohës edhe i situatës dhe i vetë qytetarëve, që Qeveria të lëvizë dhe Parlamenti ta krijojë ushtrinë e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa duke folur për gjendjen e krijuar në vend dhe kërcënimet që po bëhen nga Serbia, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, thotë se Kosova ka para vetës shumë sfida dhe se institucionet e vendit kanë shumë punë për të bërë. Sipas tij, përpjekjet e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën po vazhdojnë, madje me një intensitet të shtuar, por Kosova duhet të jetë në gjendje t’i ndalojë ato.

 

“E kemi një situatë të tensionuar. E kemi një situatë në të cilën po përballemi me shumë sfida të sigurisë, shumë sfida të ndërtimit të shtetit dhe ka punë të madhe për institucionet e Kosovës. Vërtetë duhet të punojnë shumë, që të kemi një zhvillim normal të papenguar të jetës, ekonomisë dhe demokracisë në Kosovë…Që nga pavarësimi i Kosovës, Kosova është ballafaquar me përpjekjet e Serbisë që ta destabilizoj Kosovën. Që ta bëjë Kosovën shtet të dështuar dhe ende ato përpjekje po vazhdojnë, bile me një intensitet më të madh. Dhe ne duhet të jemi në gjendje që t’i ndalojmë këto kërcënime, tu bëjmë ballë këtyre kërcënimeve”, tha ai.

Në intervistë për KosovaPress, ish kryeministri i Kosovës Agim Çeku, i cili katër vite më parë u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk është penduar për zgjedhjen që bëri sot e katër vjet më parë. Çeku tha se kthimi në familjen e tij politike, i ka mundësuar që të kontribuojë edhe më shumë për vendin, ngase, sipas tij, PDK ka guximin, vizionin dhe kurajën që ta udhëheq me vendin.

 

“Thjeshtë qëllimi im ka qenë të kthehem në familjen time politike në PDK dhe e ndiej veten shumë mirë aty. Nuk e kam pasur ndonjë qëllim personal, por mendoj se brenda PDK-së mund të jap kontributin më të madh, sepse është partia më e madhe, është parti e themeluar nga miqtë e mi, me të cilët kam bashkëpunuar edhe gjatë kohës së luftës, bashkëluftëtarë të mi dhe thjeshtë mendoj, që do të vazhdojë të jetë partia më e madhe. Është partia e cila vërtetë ka vizion, ka guxim,  ka kurajën dhe ka njerëz që mund ta udhëheqin këtë vend dhe duhet ta udhëheqin vendin”, tha Çeku.

Agim Çeku, kalimin në PDK, pas kohës që kaloi në AAK dhe PSD, e vlerëson edhe sot e asaj dite si bashkim me bashkëluftëtarët e tij, dhe thotë se nuk kishte ndonjë qëllim konkret për vete, por dëshira e tij është që ta shoh vendin stabil, të sigurt, funksional e me ushtri.

 

“Gjithmonë e kam parë veten aty ku me ka lyp puna, ku më ka lyp vendi. Asnjëherë nuk kam kërkuar detyrë për vete. Por asnjëherë nuk kam refuzuar kur dikush ka kërkuar nga unë të bëhem, apo të kryej këtë apo atë detyrë. Unë jam këtu, mendoj që ende mund t’i kontribuoj këtij vendi dhe do të jem aty ku e kam vendin, ku kërkon partia, ku më cakton. Nuk kam ndonjë qëllim apo synim konkret. Dëshira ime është që ta shoh vendin mirë, ta shoh vendin me ushtri, të sigurt, stabil, funksional dhe unë mund të kontribuoj në këtë drejtim”, tha ai.

Çeku i cili vite më parë ishte dhe në garë për të parin e kryeqytetit, tashmë ka ndarë mendjen që asnjëherë më të mos kandidat për kryetar komune të Prishtinës, apo cilësdo komunë tjetër.

 

“Jo veç të Prishtinës, por të asnjë komune”, tha Agim Çeku. /KosovaPress/