Aktuale

​Çollaku: Largimi i Britanisë nga BE, momenti më sfidues për unionin

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian përbën momentin më sfidues dhe më të vështirë të unionit, që nga themelimi.

Në profilin e tij, ai ka shkruar se, pavarësisht kësaj, Kosova dhe Britania do të vazhdojnë të kultivojnë dhe thellojnë marrëdhëniet bilaterale në çdo rrethanë, transmeton KosovaPress.

Ja postimi i plotë i Çollakut në Facebook:

Rezultati i referendumit në Mbretërinë e Bashkuar për largim nga Bashkimi Evropian nuk është lajm i mirë. Ky realitet i ri është momenti më sfidues dhe më i vështirë i këtij unioni që nga themelimi i tij.

Për ne që e kemi aspiratë të fuqishme anëtarësimin në BE, është e dhimbshme që një nga shtetet anëtare që ka qenë ndër të parat që e ka njohur pavarsinë tonë dhe ndër më mbështetëset në rrugën tonë evropiane, do të largohet nga BE.

Por ky është një vendim i një procesi demokratik, dhe si të tillë e respektojmë. Pavarësisht kësaj, Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojnë të kultivojnë dhe thellojnë marrëdhën iet bilaterale në çdo rrethanë.

Liderët e shteteve anëtare të BE tani kanë detyrë urgjente që ta mbajnë Bashkimin Evropian të bashkuar në këto momente të vështira.