Aktuale

​Mustafa e vlerëson gjestin e dorëheqjes së Ferid Aganit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka konfirmuar dorëheqjen nga detyra e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, si dhe e ka cilësuar këtë veprim si të mirë.

Mustafa ka thënë se sipas ligjeve në fuqi do të ndërmerren masat që të kryhen procedurat derisa institucionet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre.

Agani ditë më parë u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Në fillim vetëm dëshiroj të ju njoftoj se zoti Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar të lirohet nga pozita e ministrit, në harmoni me qëndrimet që ne i kemi pas gjatë themelimit të koalicionit qeverisës dhe të përcaktimit tonë të zbatimit të ligjit, unë e vlerësoj gjestin e ministrit Agani dhe e vlerësoj se ne duhet të zbatojmë të gjitha procedurat, të zbatojmë ligjin dhe të mundësojmë që në mënyrë të pavarur institucionet drejtësisë të kryejnë punë e tyre”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Qeveria e ka miratuar edh e shqyrtimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit nr.03/L049 për financat e Pushtetit Lokal, i cili ka të bëjë me caktimin e buxhetit shtesë për 14 komuna të Kosovës të cilat janë komuna të vogla, apo me më pak se 22 mijë banorë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se pas rritjes së shpenzimeve siç është rritja e pagave, komunat në fjalë nuk kanë arritur të sigurojnë buxhet të mjaftueshëm për t’i zbuluar këto shërbime, andaj sipas tij, çdo vit qeveria është dashur me rishikimin e buxhetit të ndaj buxhet shtesë.

Hoti tha se ky projektligj e zgjidh përfundimisht këtë problem.

“Ky projektligj ka për qëllim sigurimin e buxhetit minimal, të nevojshëm për mbulimin e kostos së shërbimeve komunale në komunat e vogla. Me këtë projektligj është paraparë që për një periudhë kalimtare deri në vitin 2019 nga granti i përgjithshëm që u takon komunave, e që është një shumë prej 10 për qind të të hyrave të rregullta, të ndahen 4 milion euro komunave që kanë popullsi më pak se 22 mijë banorë e që janë gjithsej 14 komuna. Propozimi në këtë projektligj është që kjo shumë të ndahet sipas dy kritereve, dy milion euro të ndahen për këto komuna në shumë fikse të barabarta për secilën komunë dhe 2 milion euro të ndahen për këto komuna në përputhje me numrin e banorëve. Kjo u mundëson komunave të tejkalojnë problemet financiare sidomos për mallra dhe shërbime”, ka thënë Hoti.

Ministri Hajredin Kuçi tha se e përkrah këtë projektligj, vetëm se propozoi që shumat e mjeteve të mos përcaktohet me ligj por t’i jepet mundësi qeverisë ta caktojë atë me vendime.

“Mendoj që është një propozi m i drejtë i dhënë nga ministria e Financave por mendoj që ndoshta juridikisht mund ta rregullojmë pak më mirë. E para ndoshta për këtë vit nuk prishin punë 4 milion, por në ligj të mos shënohet shuma por të shënohet që me vendim të veçantë të qeverisë të bëhet përjashtim nga ky rregull nga viti në vit. Ngase vitin tjetër mund të ndajmë më shumë ose më pak, ose edhe mund të jetë propozim me përqindje nga shuma e tërësishme e granteve, po e them 1 për qind, 3 për qind, 5, por që shuma të vihet në ligj ndoshta është më pak e pranueshme”, deklaroi ai.

Megjithatë, ministri Hoti dha sqarim për këtë çështje.

“Ne në fakt e kemi propozuar këtë që po e thoni ju por vlerësimi edhe i zyrave ligjore edhe i komisionit për buxhet është që çështja e ndarjes së buxhetit duhet tà « bëhet vetëm me ligj, nuk mund ta lëmë me vendime të qeverisë”, tha Hoti.

Në mbledhjen e qeverisë u miratuan edhe një varg propozim vendime dhe dokumente tjera, si: Shqyrtimi i draft koncept-dokumentit për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.2003/11 për rrugët i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjin nr.03/L-120, etj. /KP