Rajon & Botë

​Për herë të parë Bashkia e Romës do drejtohet nga një grua

Ka përfunduar në Itali raundi i dytë i zgjedhjeve vendore. Të dielën më 19 qershor, italianët kanë votuar në 126 komuna ku në raundin e parë të votimeve më datë 5 qershor kandidatët për kryetar bashkie nuk kanë mundur të fitojnë mbi 50% të votave.

Lëvizja 5 Yje e liderit Beppe Grillo ka mundur të triumfojë në dy qytete kryesore italiane; në Romë e Torino, si dhe në 19 komuna ndër 20 në të cilat kjo forcë politike ishte në balotazh me rivalët e tjerë politik.

Për herë të parë në historinë e kryeqytetit italian, një grua është zgjedhur në krye të Bashkisë së Romës.

Ajo është Virginia Raggi e Lëvizjes 5 yje e cila ka mundur të fitojë me rreth 68% të votave kundër kandidatit të Partisë Demokratike Roberto Giachetti.

38-vjeçarja Virginia Raggi me profesionin avokate prej vitit 2013 ka qënë këshilltare komunale në Bashkinë e Romës.

“Sot kanë fituar qytetarët e Romës, kanë fituar romanët, u shpreh” Virginia Raggi, menjëherë pas publikimit të rezultateve të votimeve.

“E para gjë që ndjej të them është se më në fund dhe Roma do të ketë një kryetare Bashkie grua. Është një momen t historik me një vlerë të jashtëzakonshme. Jam gati të qeveris e tashmë nis një erë e re.”

Gjithashtu një tjetër kandidate femër e Lëvizjes 5 Yje, Chiara Appendino, është zgjedhur kryetare Bashkie e një qyteti të rëndësishëm italian, Torino.

Ajo ka fituar ndaj kandidatit të Partisë Demokratike Piero Fassino, deri më sot kryetar i Bashkisë së këtij qyteti.

Rezultat pozitiv ka arritur në këto zgjedhje dhe qëndra e djathtë italiane e cila ka mundur të fitojë në 10 komunat; Trieste, Kosenza, Isernia, Krotone, Pordenone, Novara, Grosseto, Savona,Olbia, Benevento.

Ndërssa qëndra e majtë ka fituar në komunat e Milanos, Bolonja, Kaliari, Salerno, Rimini, Kaserta, Bolzano, Vareze e Ravenna.

Komenti i parë politik mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve vjen nga Lideri i Lidhjes së Veriut, Matteo Salvini, i cili u shpreh “se këto zgjedhje konfirmuan një të vërtetë se italianët nuk i besojnë më kryeministrit Renzi”.

Ndërsa dy nga anëtarët e Këshillit drejtues të Lëvizja 5 Yje, Luigi Di Maio e Alessandro Di Battista deklaruan se “ky rezultat historik i arritur nga Lëvizja 5 Yje në këto zgjedhje vendore, dëshmon se kjo forcë politike është e gatshme të qeveris vendin në të ardhmen.”

Ndërkohë të gjitha mediat ndërkombëtare kanë përcjellur sot rezultatin e zgjedhjeve vendore në Itali duke nënvizuar humbjen e Partisë Demokratike, forcës politike të kryeministrit italian Matteo Renzi.

the authorSamir Dalipi