Aktuale

​Punëtorët kërcënojnë me bojkotim të punës në Qendrën e Studentëve

Punëtorët e kompanisë “Higjiena” kanë protestuar sot para Qendrës së Studentëve(QS), të cilën e mirëmbajnë, duke kërkuar pagesën prej 0.5 përqind të stazhit të punës, e drejtë kjo e rregulluar me kontratën kolektive.

Ata kërcënuan edhe bojkotim të punës javën që vjen, nëse nuk marrin ndonjë përgjigje pozitive nga Qendra e Studentëve. Kjo e fundit, tha se punëtorët i janë drejtuar institucionit të gabuar, meqë ata duhet të kërkojnë të drejtat e tyre tek kompania “Higjiena”.

Ibadete Mahmuti, punëtore e kompanisë “Higjiena” në Qendrën Studentore, tha se nuk tërhiqet nga protesta derisa të plotësohen kërkesat e punëtorëve.

Ajo tha se do të ndërpresin edhe punën, nëse nuk zbatohen të drejtat e tyre.

 

“Nuk po kërkojmë diçka që nuk na takon, nuk po bëjmë protestë që nuk na takon, kështu që e kemi një protestë të qetë dhe kërkesa jonë është kjo. Prej kësaj proteste nuk do të tërhiqem derisa të na realizohet kjo. Do ta ndërpresim edhe punën”, tha ajo.

Jusuf Azemi , kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, tha se nuk kanë gjetë mirëkuptim me Qendrën e Studentëve, lidhur me pagesën të cilën po e kërkojnë punëtorët.

 

“Kemi presione nga Qendra Studentore që këta punëtorë mos të guxojnë ta kërkojnë atë të drejtë , e cila nuk është e drejtorit të kompanisë, Drejtori i kompanisë ka qenë bashkëbisedues i joni i rregullt, megjithatë kjo shumë bie mbi Qendrën Studentore dhe kjo duhet ta paguajë këtë shumë….administrata e Qendrës Studentore ka bërë presion tek punëtorët dhe tek pronari I kompanisë, që punëtorët për asnjë rast nuk guxojnë të lëshojnë vendin e punës, sepse mund të shkojnë nga puna. Kjo është një anomali e tyre.. Nëse sot nuk ka reagime pozitive, atëherë të jeni të bindur që në javën tjetër do të bllokohet tërësisht puna, nuk do të funksionojmë.”, tha Azemi.

Ndërsa drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta u tha gazetarëve se punëtorët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre tek kompania të cilës i takojnë.

Ai drejtoi akuza drejtë kryetarit të sindikatës, për të cilin tha se po manipulon me punëtorët protestues.

 

“Janë drejtuar në adresa të gabuar, punojnë në Qendrën e Studentëve, mirëpo janë punëtorë që kanë të nënshkruar kontratë me një kompani private e cila quhet ‘Higjiena’. I rekomandoj ata që ta kërkojnë atë drejtë tek kjo kompani private. … Është një sindikalist, ai e di se si qëndron puna dhe siç duket po manipulon pak a shumë me injorancën e disa prej punëtorëve dhe ai e di saktësisht se ku është adresa që duhet t’i kërkojë të drejtat e atyre punëtorëve”, tha Sfishta.

Punëtorët që mirëmbajnë Qendrën e Studentëve ka gati dy vjet që janë privatizuar, dhe i takojnë kompanisë private “Higjiena”, drejtori i së cilës nuk qe i gatshëm të përgjigjet para gazetarëve të cilët pritën para zyrës së tij, ani pse ai ishte brenda .

Ndërsa punëtorët që po protestonin, që ishin rreth 20 në numër, thanë se kërkojnë dokumentacionin i cili thotë se ata janë privatizuar me pëlqimin e tyre.

Sipas tyre, katër mijë nënshkrime të cilat janë mbledhur, e që thuhet se dëshmojnë pëlqimin e punëtorëve për privatizim, janë nënshkrime që janë mbledhur për të kërkuar mos të privatizohen.

Punëtorët që mirëmbajnë Qendrën e Studentëve, të cilët mendojnë se QS është adresa që ku duhet drejtuar për kërkesën e tyre për pagesën e stazhit të punës prej 0.5 për qind, thanë se do të bojkotojnë punën nëse nuk marrin përgjigje pozitive për kërkesën e tyre.

Protesta qe e qetë dhe zgjati rreth 40 minuta./KP

the authorSamir Dalipi