Sport

​Ronaldo i mohon akuzat se e kishte përdhunuar mësuesen 34-vjeçare

Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, i ka mohuar akuzat se ai e kishte përdhunuar një grua në vitin 2009 përmes lidhjeje direkte në llogarinë e tij në Instagram.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Real Madridi e publikoi videon duke i mohuar këto akuza vetëm disa orë pasi dokumentet amerikane ishin bërë publike.

Ronaldo akuzohej se e kishte përdhunuar një mësuese 34-vjeçare, Kathryn Mayorga, më 13 qershor të vitit 2009 në një hotel në Las Vegasit.

“Jo, jo, jo, jo, jo. Çfarë thanë ata sot? Lajme të rreme. Ata duanë ta promovojnë veten duke e përdorur emrin tim. Kjo është normale. Ata duanë të bëhen të famshëm duke e thënë emrin tim, por kjo është pjesë e punës sime. Unë jam një burrë i lumtur dhe gjithçka është mirë”, ka thënë Ronaldo.

Ronaldo dhe Mayorga ishin takuar në një klub nate në Las Vegas, ku portugezi po qëndronte për pushime. Takimin e tyre e vërtetojnë disa fotografi të shkrepura nga ajo natë. Madje në njërën prej fotove, Ronaldo është duke ia mbajtur dorën Mayorgas dhe duke i folur në vesh.

Më vonë, ajo e kishte punësuar një avokat dhe në vitin 2010 kishte arritur marrëveshje me Ronaldon për ta zgjidhur çështjen jashtë gjykatës. Prej kësaj marrëveshje, Mayorga kishte përfituar 322 mijë euro dhe ishte pajtuar që të mos i publikonte akuzat.

Megjithatë, sipas akuzës së re, ajo pretendon se e kishte nënshkruan marrëveshjen vetëm pasi që ishte frikësuar se Ronaldo do i hakmerrej dhe se do të poshtërohej publikisht, duke u identifikuar si viktimë e dhunës seksuale.

Ajo thotë se ka mbetur e traumatizuar nga incidenti, por i ka bërë publike akuzat tani për shkak të lëvizjes #MeToo, ku gratë i kanë treguar ndodhitë e tyre personale sa i përket dhunës seksuale.

Ronaldo pretendon se lëndimet e Mayorgas janë shkaktuar nga një person tjetër, dhe jo nga ai. Ndërsa, Policia e Las Vegasit nuk ka pranuar t’i komentojë akuzat. /Gazeta Express/

the authorSamir Dalipi