Aktuale

​Tahiri mohon involvimin e Ministrisë së tij në rastin e deportimit të gylenistëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se shteti turk ka kërkuar nga ministria që ai drejton ekstradimin e shtatë shtetasve të saj, banorë të Kosovës. Por, ai tha se rasti i fundit me gjashtë shtetasit turq që iu dorëzuan shtetit turk javën e shkuar nuk ka të bëjë me ekstradim.

Ndaj, Ministri Tahiri ka larguar përgjegjësinë ndaj vetes se është i përfshirë në dëbimin e gjashtë gulenistëve nga Kosova, që në Aeroportin e Prishtinës iu dorëzuan Shërbimit Inteligjent të Turqisë.

“Nuk kemi të bëjmë më asnjë rrethanë me ekstradim, që është kompetencë nga ana e ministrisë së drejtësisë”, tha Tahiri në debatin parlamentar për rastin e javës së shkuar, shkruan Gazeta Express.

“Ekstradimi është i paraparë me ligj, që është kompetencë e ministrit pas vendimit të gjykatës”, tha ai, duke sqaruar procedurat se si ndodhë ekstradimi në Kosovë, sipas ligjeve në fuqi.

“Qeveria e Turqisë ka bërë kërkesë për 7 persona… Prej kur kam marr detyrën, janë zhvilluar proceduarat konform ligjit. Asnjë nga këta personat e ekstraduar gjatë mandatit tim, deri më tash, nuk janë këta persona që ka kërkuar Turqia”, tha ai ndër të tjera.

Tutje, Abelard Tahiri gjatë fjalimit të tij tregoi se Republika e Turqisë ende nuk e ka miratuar marrëveshjen me Kosovën për ekstradim, e nënshkruar në vitin 2017, shkruan Gazeta Express.

Ai ka pranuar se për rastet e ekstradimeve deri me tash që kanë ndodhur në Kosovë, asnjëherë nuk e ka njoftuar Kryeministrin e as drejtuesit e tjerë të shtetit. /GazetaExpress/.