Aktuale

​Tragjedia në Kolovicë, Krasniqi thotë se fajtorët duhet të japin përgjegjësi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka reaguar lidhur me vdekjen e dy fëmijëve, vëlla e motër, të cilët aksidentalisht humbën jetën, duke rënë në një gropë të mbushur me ujë në lagjën Kolovicë në Prishtinë.

Në reagimin e tij, ai fillimisht i ka shprehur ngushëllime familjes dhe ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të hetojnë në detaje se kur është hapur gropa, kush e ka hapur atë dhe përgjegjësi e kujt ishte, transmeton KosovaPress.

Ja reagimin i Krasniqit:

Familjes që humbi në mënyrë tragjike një vajzë e një djalë, jo pa fajin e politikës, secili nga ne, duhet që t’ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!

Partitë politike, sidomos të koalicionit qeverisës, mos ta hedhin fajin siç “hidhet topi në lojën e pingpongut”. Ata, duhet të reagojnë më nguti, ashtu siç bënë dje, kudo që ndodhin fatkeqësitë e ngjashme në Republikën tonë!

Të gjithë ne (qytetarët e Republikës), duhet të kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të shtetit që të hulumtohet deri në detale, se kur është hapur gropa, kush e ka hapur atë dhe përgjegjësi e kujt ishte ajo?! Opinion i duhet ta di saktë, cila është përgjegjësia e ish Kryetarit të Komunës së Prishtinës, tani Kryeministër i Kosovës? Pastaj cila është përgjegjësia e Kryetarit të sotëm të Prishtinës? dhe cila është përgjegjësia e Qeverisë së Kosovës? Pra përgjegjësia duhet të adresohet të cilido që është përgjegjës, qoftë për veprimin apo mos veprimin e tij!

Dorëheqja e Kryeinspektorit të Komunës së Prishtinës, zotit Sfeçla duhet përshëndetur, por përgjegjësia vështirë që mund të ndalet aty!

Të secilido rast i kësaj natyre, përgjegjësia duhet të adresohet, si ajo morale e po ashtu dhe ajo ligjore!

Ketë përgjegjësi duhet ta kërkoj opinioni ynë publik! Fajtoret duhet të japin përgjegjësi morale apo ligjore ose që të dyja.

Të gjithë ata që kanë përgjegjësi politike duhet ta dinë: se të qenit në qeverisje (në nivel lokal apo qendror), nuk kanë vetëm privilegje, kanë dhe përgjegjësi. Rastet e tilla, kërkojnë vetëm përgjegjësi! Ata që nuk dinë të japin përgjegjësi, duhet t’i detyron opinioni publik. Opinioni ynë qytetarë duhet të ketë më shumë ndjesi njerëzore për të kërkuar përgjegjësi politike nga të zgjedhurit e vet në institucionet e shtetit!

Rasti është për të pasur ndjesi njerëzore e politike edhe qeveritarët tanë! Por këta që po humbasin mijëra hektarë tokë e krijojnë “zajednica”, vështirë që e ndjejnë përgjegjësinë morale për “një gropë”, siç do të thonë ata me gjakftohtësi?!