Aktuale

​Veseli: Kosova është pro fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera

Ka nisur në Prishtinë, nga mëngjesi i sotëm, Samiti i komisioneve për Punë të Jashtme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në hyrje të fjalës së tij në samitin e sotëm tha se ngjarje të tilla janë një lajm shumë pozitiv për vendin.

“Takimet e një formati të tillë janë shprehje e qartë e përkushtimit të përbashkët të vendeve tona për thellim të bashkëpunimit të gjithanshëm institucional, në funksion të agjendës evropiane të integrimit”, tha Veseli.

Ndërkohë ai përmendi edhe momentet kritike që po kalon Bashkimi Evropian, për të cilët zëra të ndryshëm japin analiza të kundërta, por sipas Veselit këto pikëpamje shumë shpejt do të përgënjeshtrohen.

“Vullneti për të qëndruar të bashkuar është shumë here më i fortë se tendencat që kërkojnë të kundërtën. Bashkimi Evropian është shumë më shumë se sa burokracia e një grupi mekanizmash institucional”, tha Veseli.

Ndërkohë duke folur për 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Kuvendit tha se shteti i Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm rajonin dhe më të sigurt perspektivën e tij evropiane.

“Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimet e politikës së fqinjësisë së mire dhe komunikimit pa barriera. Ne të gjitha fushat, ne kemi ndërtuar raporte shumë të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe prej disa vitesh jemi përfshirë në një dialog të hapur me fqinjin tonë verior, Republikën e Serbisë, në mënyrë që marrëdhëniet tona, fillimisht të normalizohen, si hap i parë në rrugën e pashmangshme të njohjes reciproke”, është shprehur Veseli.

I pari i Kuvendit të Kosovës tha se nuk duhet lejuar që retorika e ashpër nacionaliste, që bëhet për fushata elektorale, të dëmtoj frymën dhe efektivitetin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se për qytetarët serbë të Kosovës garancia më e madhe janë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, e jo trenat me simbolika që nxisin urrejtje dhe muret e ndarjes. /KosovaPress/