Aktuale

114 persona në Kamenicë në pritje për t’i bërë testet për COVID 19, 14 janë më urgjent

114 persona të cilët po dyshohet se mund të kenë pasur kontakte me personat e prekur me virusin COVID-19 nga fshati Topanicë i Kamenicës, po presin të kryejnë testimet për koronavirus. Janë 6 familje të cilat kanë anëtarë të konfirmuar me koronavirus, ndërkaq 22 të tjera janë në listën e kontakteve të tyre, shkruan Gazeta Express

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë për Express se nga konfirmimi i rastit të parë me koronavirus në fshatin Topanicë, janë përpiluar listat e personave që kanë mundur të kenë kontakt me të.

“Pas identifikimit të personit të parë me COVID-19 në Topanicë, janë testuar dy grupe të ndryshme. Janë testuar edhe 12 punëtorë shëndetësorë, 2 zyrtarë policorë dhe 1 qytetar, të cilët kanë rezultuar negativë. E kemi propozuar listën e tretë, po presim të testohen. 14 nga ta janë më me prioritet”, ka thënë Kastrati.

Ai ka theksuar se deri më tani numri i personave që janë në listë ka shkuar në 153, pa përfshirë këtu zyrtarët policorë dhe ata shëndetësorë.

“Lista që është përpiluar nga fillimi e deri më tani ka 153 emra, nga ta deri më tani janë testuar 21, po presin të testohen edhe 114. Nga 6 familje prëj të cilëve ka persona të infektuar, janë shikuar kontaktet e mundshme dhe kanë dalë 22 familje tjera që kanë mundur të kenë kontakt me ta, ata janë në listën që po presin të testohen”, ka thënë Kastrati për Express.

Ndërkohë, 12 banorë të fshatit Topanicë të komunës së Kamenicës janë prekur me virusin COVID-19 gjatë javës që lamë pas.

Rasti i parë u shënua të hënën e 29 marsit. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës mori mostrat e 17 personave që dyshohej se kishin kontakte me të prekurin e parë.

Familjarët e ngushtë, e më pas edhe anëtarët e familjes me të gjerë, e po ashtu një shok i të infektuarit të parë, janë 11 të infektuarit e tjerë nga Topanica.

E deri më tani, në Kosovë ka shkuar në 145, derisa mëngjesin e sotëm janë shënuar edhe dy viktima nga koronaviruasi, duke çuar në 3 numrin e  të vdekurve.

Deri me tani, janë shëruar 23 persona.

the authorGazetaKNN