Aktuale

15 mijë e 333 raste të konfirmuara me COVID-19 në Kosovë

Gjatë kësaj jave ka pas rënie të numrit të të infektuarve dhe të të vdekurve me virusin korona.

Megjithatë, ende vazhdon të ketë raste të reja pozitive me COVID-19, ku gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 63 raste me këtë virus. Ndërkaq, që nga 13 marsi kur edhe janë paraqitur dy rastet e para me COVID-19 në Kosovë, numri i rasteve pozitive ka shkuar në 15 mijë e 333 nga 64 mijë e 230 persona të dyshimtë me virusin SARS CoV2.

Derisa 12 mijë e 987 persona janë shëruar nga ky virus janë edhe 616 të tjerë të cilët nuk munden ta mposhtin virusin korona për çka edhe kanë ndërruar jetë.

Në të dhënat e Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thuhet se janë 1 mijë e 730 raste aktive me COVID-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 592 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 63 raste pozitive. Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 15.333 raste nga 64.230 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 616 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 87 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 12.987 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.730”, thuhet në të dhënat e IKSHPK-së.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 24 raste, komuna e Lipjanit 7 raste, komuna e Mitrovicës 6 raste, komuna e Fushë Kosovës 4 raste, komuna e Prizrenit 4 raste, komuna e Klinës 3 raste, komuna e Suharekës 3 raste, komuna e Deçanit 2 raste, komuna e Malishevës 2 raste, komuna e Vushtrrisë 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Gjakovë, Istog, Obiliq, Pejë dhe Rahovec. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN