Aktuale

2-vjetori i Qeverisë Mustafa

Sot bëhet dy vite që kur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nënshkroi dekretimin e mandatit për formimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Isa Mustafa.

Mustafa, të nesërmen, më 9 dhjetor 2014, u votua si kryeministri i qeverisë së re, duke marrë 73 vota pro, 38 kundër dhe 2 abstenime. Në fjalën e tij pas mandatimit në krye të qeverisë, Mustafa u zotua se do të punonte me përkushtim e ndershmëri për zhvillimin e vendit.

Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës, u quajt nga subjektet opozitare si tradhti e Mustafës, kurse, qeveria e udhëhequr nga ai u quajt “Qeveria e Rashkës”. Opozita po vazhdon me kundërshtimin e dy marrëveshjeve që janë arritur gjatë këtij viti, atë me Serbinë për Asociacionin e komunave serbe, dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Njohësit e rrethanave politike nuk kanë gjetur shumë elemente për ta vlerësuar qeverinë Mustafa. Ata thonë se kjo qeveri qysh në ditët e para është përballur me protesta e pakënaqësi të ndryshme qytetare. Sidoqoftë, ata vlerësojnë vendimin për mosngritjen e pagave të punëtorëve, vendimin për uljen e shpenzimeve dhe faljen e borxheve që qytetarët dhe bizeneset i kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri në fund të vitit 2008.

E përballur me pakënaqësi shoqërore, me ikjen masive të qytetarëve e me protesta të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë, Qeveria Mustafa arriti të përmbush 2 vit qeverisje.

Ajo që është kritikuar gjatë këtyre dy viteve është edhe numri i vogël i njohjeve dhe dështimi i anëtarësimit në UNESCO./KosovaPress/