Aktuale

“30 ditë pa pagesë”: Trafiku Urban jep detaje dhe tregon çfarë duhet të dinë udhëtarët

Nga sot qytetarët e Prishtinës mund të shfrytëzojnë udhëtimin pa pagesë në autobusët e Trafikut Urban. Kjo ngase Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që për një muaj të mos paguhet fare bileta në këta autobusë. Ky vendim erdhi pas propozimit të asamblistëve në Komunën e Prishtinës e që mori përkrahje nga të gjithë.

Në lidhje me këtë kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka pohuar se ky vendim do të zbatohet menjëherë.

“Qarkullimi me autobusët e Trafikut Urban do të jetë falas për të gjithë qytetarët për një muaj rresht, duke filluar nga nesër 1 dhjetor. Zbatimi i të gjitha rregullave dhe masave mbrojtëse kundër #covid19 mbeten në fuqi dhe janë të obligueshme për secilin që udhëton me këta autobusë”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka folur edhe për propozimin e asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që transporti falas për udhëtarët të jetë për katër muaj, për cka ai thotë se përkundër që ky është një porpozim i mirë një vendim i tillë nuk mund të merret pa ndryshuar buxheti.

Mirëpo ai thotë se pas muajit dhjetor do të vlerësohet situata e re varësisht nga buxheti dhe situata financiare.

Se kjo çështje ka filluar të zbatohet e konfirmojnë edhe nga Trafiku Urban.

Lulzim Rexhepaj, Kryeshef Ekzekutiv ka thënë për FaktePlus se vendi ka filluar të zbatohet qysh nga mengjesi i sotëm. Ai thotë se rregullat mbesin të njejta.

“Propozimi i asamblistëve ka kaluar dhe vendimi është marr nga kryetari Shpend Ahmeti që prej 1 dhjetorit pra sot transporti publik me autobusët e Trafikut Urban të jetë pa pagesë. Edhe ne sot në mengjes nuk i kemi pajisur konduktorët me arka fiskale, ata do ta mbajnë vetëm rendin kështu duke respektuar masat e mëhershme”, ka thënë Rexhepaj.

Ndër të tjera Rexhepaj po ashtu ka sqaruar se qytetarët të cilët kanë paguar bileta mujore, do të kompensohen.

“ Të gjitha linjat do të operojnë njësoj, ne po ashtu kemi sqaruar edhe për qytetarët të cilët kanë nxjerrë bileta mujore. Shqetësimi ka qenë nëse iu humbin pagesat apo jo , por ne i njoftojmë ata se ato pagesa nuk do t’iu humbin pra do t’iu vazhdohet pasi të përfundon kjo çështje”, ka thënë ai.

Ndryshe Komuna e Prishtinës ka marrë edhe disa vendime të tjera në siç është subvencionimi i të infektuarve më COVID-19 me 50 euro si dhe për pensionistët me 100 euro.

Po ashtu komuna do të subvencionoj edhe mediat lokale me 100 mijë euro si dhe 5 milionë euro për bizeneset në Prishtinë./FaktePlus