Ekonomi

6 milionë euro për zgjerimin e rrugës

Ministria e Infrastrukturës (MI) ka shpallur tenderin për zgjerimin e rrugës nga rrethrrotullimi në dalje të autostradës në fshatin Besi, në drejtim të Podujevës.

Për këtë projekt ka paraparë një buxhet prej hiç më pak se 5 milionë e 950 mijë eurosh.

Në njoftimin për kontratë shihet se hapja e tenderëve për këtë proces të prokurimit do të ndodhë më 6 qershor të këtij viti. Ndërkaq, sipas planit punimet pritet të fillojnë më 15 qershor, ku dhe duhet të përfundojnë brenda 180 ditëve.

Në njoftimin për kontratë, të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), thuhet se kompanitë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij procesi duhet të kenë raportin e auditimit dhe të pasqyrave të audituara nga një kompani e licencuar e auditimit me reputacion për vitet 2013, 2014 dhe 2015. Po ashtu kërkohet që qarkullimi i operatorit ekonomik (OE) ose grupit të jetë jo më pak se 11 milionë euro.

“Kompania duhet të ketë kapital të mjaftueshëm për realizimin e kontratës, mjete të gatshme në xhirollogari nga kompania në bankë në vlerë prej së paku 500 mijë eurosh ose qasje të pakushtëzuar në kredi. Kompania po ashtu duhet të ketë kopje të pasqyrave në të ardhura dhe raporteve të menaxhmentit të certifikuara nga një kompani e licencuar e auditimit me reputacion për vitet 2013, 2014 dhe 2015”, thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar nga KRPP-ja./Zëri/

Leave a Reply