Aktuale

8 raste me COVID-19 në Istog, sot do të testohen 8 persona që dyshohet se patën kontakt me të prekurit

Një 69-vjear nga Gurrakoci i Istogut ka rezultuar pozitiv në testimet për COVID-19, mbrëmjen e së shtunës. Të dielën u janë marrë mostrat edhe dy personave që dyshohet se kanë pasur kontakt me të. Ndërkaq sot pritet të testohen edhe 6 persona të tjerë që kanë pasur kontakt me katër të prekurit me koronavirus nga fshatra të ndryshme të Istogut

69-vjeçari nga Gurrakoci i Istogut i cili u konfirmua me COVID-19, po qëndron i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Por fillimisht ai kishte pasur probleme tjera shëndetësore. Nga data 15 prill, 69-vjeçari ishte shtrirë në Spitalin e Pejës, pasi kishte pasur një sulm në tru.

Atij i ishin bërë edhe testimet për COVID-19, nga ku rezultoi pozitiv.

Drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, tha për Express se sot do të testohen personat që dyshohet se kanë pasur kontakt me 69-vjeçarin, por edhe me rastet e tjera të konfirmuara nga kjo komunë.

“Sot do të testohen të gjithë personat që dyshohet se kanë pasur kontakt me 69-vjeçarin dhe me katër personat tjerë të konfirmuar me COVID-19 së fundmi në komunën tonë. Janë gjithsej 8 persona të cilët do t’u nënshtrohen testimeve”, ka treguar Osmanaj.

Ai shtoi se në mesin e personave që do të testohen është edhe një 26-vjeçar.

“Në mesin e personave që do të testohen është edhe një 26-vjeçar i cili ka pasur temperaturë, do të testohet sot bashkë me të tjerët. Ai po dyshohet se ka pasur kontakt me një nga personat që është konfirmuar më herët”, ka thënë Osmanaj.

E katër personat nga komuna e Istogut të cilët rezultuan pozitivë pozitivë në testimet për COVID-19, mbrëmjën e së mërkurës së kaluar, kishin marrë pjesë në një varrim në Pejë.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 763.

Nga ta janë shëruar 166, ndërkaq kanë vdekur 21 persona.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /GazetaExpress/