Aktuale

91 subjekte politike certifikohen për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur dhe gjithsej 7080 kandidatë për asamble të komunave.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, derisa ka lexuar të gjithë emrat e subjekteve politike që kanë aplikuar për certifikim ka thënë se të njëjtit kanë kaluar verifikimet e nevojshme dhe sipas rekomandimeve të zyrës rekomandohen për certifikim.

“Lista e subjekteve politike për zgjedhjet lokale të cilat kanë aplikuar për certifikim janë këto si në vijim: LDK me 899 kandidat për kuvende komunale dhe me 28 kandidatë për kryetar komune, PDK 967 për kuvende, 30 kandidat kryetar komune, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 853 kandidatë për kuvende, 25 kandidatë për kryetar komune, Lëvizja Vetëvendosje 874 për kuvende dhe 26 për kryetar komune, Aleanca Kosova e Re 528 kandidat për kuvende, 16 për kryetar komune, Nisma për Kosovën, 695 kandidatë për kuvende 22 për kryetar komune…. Pra këto ishin partitë politike gjithsej 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur me gjithsej 7080 kandidat për kuvende komunale dhe kandidatë për kryetar të komunave. Këto janë pra të gjithë ata që kanë kaluar dhe verifikimet e nevojshme dhe sipas rekomandimit të zyrës rekomandohen për certifikim të zgjedhjeve lokale”, tha ajo.

Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi, ka rekomanduar që të publikohen listat me kandidatë në ueb faqen e KQZ-së me qëllim që të ofrohet transparencë dhe mundësi për ankesa.

“Është shumë e rëndësishme që me i publiku këto lista që me pas mundësin me ofruar transparencën e nevojshme që personat që kanë interes juridik, qytetarët e Kosovës, shoqëria civile, mediat, partitë vetë politike kushdo tjetër me pas të drejtën me i apeluar por edhe mu njoh me kandidatë që janë….Është mirë që të dallohen kandidatët për kryetar komune dhe asamble në këtë data bazë nuk i kemi të dalluar dhe besoj që pas kësaj mbledhje mund zyra me e bo…..Është mirë të ofrohet transparenca e nevojshme dhe palëve të iu ipet mundësia që të ankimojnë“, tha ai.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje i cili propozoi që publikimi i listave të bëhet në mënyrë të veçantë për secilën komunë me kandidatin për kryetar dhe asamblistët.

Gjatë kësaj mbledhje është caktuar edhe afati për ankesa i cili sot fillon nga ora 16:00 edhe kur bëhet publikimi i listave në uebfaqe dhe zgjatë 24 orë.

Po ashtu gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror Zgjedhor është vendosur që komuna e Vushtrrisë të mbetet me numër të njëjtë të kuvendit ashtu siç ka qenë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, me gjithsej 35 kandidatë dhe u është dhënë afat deri të dielën në ora 16:00 të dorëzohen edhe 4 emrat e kandidatëve për certifikim.

Ndërsa drejtoresha e zyrës për regjistrim të partive politike dhe certifikim, Miradije Mavriqi, ka bërë të ditur se vetëm një person është larguar nga lista e subjekteve politike për shkak të dënimit nga PZAP.

“Kemi kërkuar me shkresë për njoftimin e KQZ-së se a ka ndonjë subjekt politik gjoba të pa paguara, do të thotë e ka dorëzuar PZAP atë vendimin e vetë, dhe gjithashtu ka dorëzuar edhe shkresë edhe vendim lidhur me kandidatët të cilët kanë qenë të dënuar për mos pjesëmarrje në zgjedhje, dhe ne i kemi kontrolluar kandidatë për kandidatë do të thotë zyra e ka plotësuar kërkesën e PZAP-it sepse një kandidat i cili i ka qenë i dënuar nga PZAP nuk ka hyrë në listën e atij subjekti politik dhe janë njoftuar subjektet politike”, tha ajo.

Ndërsa, Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Enis Halimi ka thënë se në listat preliminare të votuesve të dorëzuara në KQZ janë pranuar 1.966.900 emra të votuesve dhe rreth 15 mijë votues janë emra të rinj. Ndërsa tha se në KQZ kanë arritur 11 mijë e 813 aplikacione nga aplikuesit jashtë vendit.

KQZ-ja duke u mbështetur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Zgjedhjet Lokale ka pasur afat deri nesër që të përmbyllë procesin e certifikimit të subjekteve politike të cila kanë aplikuar për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet lokale.

Kurse tërheqja e shortit për numrat rendor të partive pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale do të bëhet më 6 shtator. /KP