Ekonomi

A do të këtë sërish shtyrje të kësteve të kredive?

Banka Qendrore e Kosovës ende s’ka marrë ndonjë vendim për këstet e kredive. Në këtë institucion thonë se do të vazhdojnë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, dhe se varësisht nga situate do të marrin vendim nëse do të ketë sërish shtyrje të afatit për pagesën e kësteve apo jo.

Zëdhënësi i BQK’së, Kushtrim Ahmeti i ka thënë Gazetës Express se nga momenti kur janë liruar masat kufizueses dhe kanë filluar punën shumica e veprimtaritë ekonomike, dhe me vazhdimin e largimit të masave kufizuese, ky institucion vlerëson se përfundon edhe masa emergjente.

Por, thotë se vendimi për këtë çështje do të merret varësisht nga situata.

“Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar, në mënyrë që të japim kontributin tonë të mëtejmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithmonë duke vendosur në plan të parë ruajtjen e stabilitetit financiar që është edhe detyra primare e BQK-së”, thuhet në përgjigjet e Ahmetit.

Sipas BQK’së, deri në fund të prillit, janë pranuar mbi 66 mijë kërkesa për shtyrje të kredive, vlera e tërësishme e të cilave është 1.6 miliard euro.

“Deri më 30 prill 2020, shuma e tërësishme e kredive për të cilat është kërkuar shtyrje të kësteve të tyre është 1.6 miliardë euro, apo 51.7 përqind e gjithsej portofolit kreditor. Janë gjithsej 66,818 kërkesa për shtyrje të kredive, apo 14.4 përqind e gjithsej numrit të kredive. Është e rëndësishme të theksohet fakti se sektori bankar iu është përgjigjur pozitivisht kërkesave të bizneseve dhe personave fizik për shtyrje të pagesës së kësteve të kredive, ku për biznese janë aprovuar 99 përqind e kërkesave për shtyrje dhe për persona fizik 86 përqind”, kanë deklaruar nga ky institucion.

Ndryshe, Banka Qendrore kishte kërkuar nga bankat që të mos aplikojnë interes ndëshkues e ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve gjatë periudhës së pandemisë, derisa kishte bërë me dije se nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra.

“Gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe”, kishte njoftuar BQK’ja./Gazeta Express