Aktuale

A gënjeu Daçiq për tërheqje të njohjes? Deklarohet Presidenca e Sierra Leones

Presidenca e Sierra Leone, shtetit që po raportohet se ka tërhequr sot njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës, është deklaruar pas takimit me kryediplomatin serb i cili po lobon për këtë, Ivica Daçiq.

Përkundër këtij raportimi, në deklaratë ata nuk kanë përmendur ‘çnjohjen’.

Presidenca e vendit që ndodhet në Afrikën Perëndimore përmes një njoftimi për media, më herët është deklaruar rreth takimit të presidentit, Julius Maada Bio me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Bashkë me Ministren e Jashtme të Sierra Leones, Nabeela Tunis, Presidenti ka folur me diplomatin serb të cilit i ka thënë se Serbia ka lidhje të gjata me shtetin tonë, dhe se ato do të vazhdojnë edhe më tej përmes konsultimeve në mes dy ministrive”, thuhet në këtë njoftim.

Edhe pse presidenca e këtij shteti afrikan nuk e ka përmendur çnjohjen ndaj Kosovës, Daçiq deklaroi në mëngjes se ky vend e ka tërhequr njohjen e pavarësisë ndaj Kosovës.

Madje, ai prezantoi notën ku sipas tij thuhet se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

“Me kënaqësi mund të prezantojë notën nga Ministria e Punëve të Jashtme ku thuhet se Sierra Leone e tërheq njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe do të respektojë rezultatet që vijnë nga dialogu, me mbikqyrjen nga BE-ja dhe OKB-ja”, tha Daçiq. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN