Arsim & Kulturë

AAB anëtarësohet në Asociacionin Evropian të Fakulteteve të Drejtësisë (ELFA)

Bordi i Asociacionit të Fakulteteve të Drejtësisë të Evropës (ELFA), ka marrë vendim për pranimin e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, si anëtar me të drejta të plota të këtij asociacioni.

Falë angazhimit të dekanatit dhe mësimdhënësve të Fakultetit Juridik, ky sukses konsiderohet si shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se Fakultetet e Drejtësisë në Evropë dhe në mbarë botën po përballen sot me një numër sfidash, siç janë: krijimi i sistemeve për krahasueshmërinë e arsimit të lartë dhe njohjes së mësimit të fituar në vendet e tjera, sigurimi i fondeve të përshtatshme për anëtarët, krijimi i vendeve të punës, lëvizja e studentëve dhe stafit, arsimi digjital, etj..

ELFA u themelua në vitin 1995 në Leuven të Belgjikës, nga më shumë se 80 fakultete të drejtësisë të universiteteve të ndryshme anembanë Evropës.

Misioni i ELFA është të përfaqësojë dhe promovojë interesat e anëtarëve të saj në fushën e edukimit juridik dhe kërkimit karshi institucioneve të BE-së, organizatave ndërkombëtare si dhe shoqatave të profesionistëve ligjorë.

Organizata momentalisht ka më shumë se 150 anëtarë nga vende brenda dhe jashtë BE-së dhe vepron si një forum ndërkombëtar për diskutimin e shumë temave ligjore lidhur me arsimin ligjor.